SPAK mbyll hetimet për çështjen Ahmetaj, merret i pandehur për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie

06/03/2026 13:31

Prej tre vitesh në kërkim dhe me masë sigurie në mungesë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është njohur me aktet e mbylljes së hetimeve përmes avokatit të tij Henrik Ligori.

Mbrojtësi konfirmoi për TCH se gjatë ditës i janë vendosur në dispozicion aktet e mbylljes së hetimeve, kurse siç mëson TCH nga burime jozyrtare nën akuzë në mbyllje të hetimeve janë edhe nëntë persona të tjerë.

Arben Ahmetaj, pas pesë shtyrjesh të afateve hetimore, shkon në gjykatë për tre akuza, që nga korrupsioni, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë. Por në gjykatën antikorrupsion në të njëjtin fashikull është edhe ish-bashkëshortja e tij Albina Mancka, e dyshuar për pastrim parash. Mbi bazën e hetimit financiar të SPAK dyshohet se ajo u përfshi në fushën e ndërtimit të një pallati në zonën e Selitës.

Ky investim dyshohet se u krye me biznesmenin Andi Boni, gjithashtu i pandehur. Por për SPAK-un investimi i ish-bashkëshortes së ish-zv.kryeministrit konsiderohet si skemë e pastrimit të parave, ndonëse kjo nuk pranohet prej tyre.

Edhe bashkëjetuesja e Ahmetajt, Ejola Hoxha, është nën akuzë për pastrim parash, pasi vlerësohet e dyshimtë në investimin e një vile në Hamallaj, nën sekuestro nga SPAK. Listës i shtohen edhe Sonila Meqameja, Elda Dinaj, Geri Kuke, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, që janë në të njëjtën dosje.

Për Arben Ahmetaj, SPAK hedh dyshime ndaj tij për të tre inceneratorët, duke e dyshuar atë se për Elbasanin dha mendim pozitiv, për Fierin kur ishte ministër financash ka alokuar fonde dhe për inceneratorin e Tiranës nuk e ka penguar ndërtimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB