Shtyhet gjyqi për kryebashkiakun Kristian Shkreli/ “Kam komunikuar për çështje të tjera puna”, zbardhen deklaratat e dëshmitarëve në seancë

06/03/2026 14:14

Në Gjykatën e Posaçme u mbajt procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i dyshuar për korrupsion zgjedhor.

Gazetarja Anila Hoxha ka siguruar deklaratat e dëshmitarëve. Ajo raporton për Top Channel se seanca u shty për të bërë të mundur njoftimin edhe të tre dëshmitarëve të tjerë. Seanca e radhës do të mbahet më 2 prill, në orën 14:00.

Dëshmitë nga seanca:

“Unë punoj pranë OSHE-së në zonën e Vaut të Dejës. Jam elektricist. Jam në dijeni pjesërisht për remontin. E di se aty është një lagje me rrjet shumë të amortizuar. Na ka thënë shefi që do të jemi te remondi. Kemi bërë punimet sipas linjës; ishte gati 500 metra dhe ishte e amortizuar. Baza materiale, me dijeninë tonë, shtetërore, ka qenë e siguruar nga OSHE. Ka qenë një fadromë, por s’e di ku e kanë marrë dhe as nuk e kam marrë unë”, dëshmoi Martin Toma.

Ndërsa dëshmitari Leorenc Pjetra u shpreh: “Unë jam specialist i urbanistikës pranë Bashkisë Vau i Dejës. Kam marrë informacion për një investim që do të bëhej në linjën e OSHE-së në fshatin Stajkë, në muajin shkurt të vitit 2025. Në atë periudhë nuk kujtoj të kem marrë telefonatë për atë rast nga kryebashkiaku Kristian Shkreli. Me kryebashkiakun kam komunikuar për çështje të tjera pune. Unë isha drejtor i Shërbimeve Publike; nuk jam unë fadromisti. Më është kërkuar leje për fadromën, e cila është përdorur për të hapur gropat për vendosjen e shtyllave.”

SPAK lexon një përgjim të datës 26 prill 2025: “Po Franc, në takim thuaj: i ka shkuar letra fëmijëve, aty janë 4 të mbyllur. Vetëm 11, mos u merrni me kandidatë, vetëm 11. Sa ka ai atje? 4 për sot, po i ka vetëm djali.”

“Fëmijët e mi janë të tre në Itali, të tre janë të martuar. Kur kisha burrin e sëmurë, i vetmi që na ka ndihmuar ishte Tom Doshi. Te PS ka ardhur si kryetar i PS-së Kristian Shkreli. Unë jam kryetare e gruas në PS për zonën. Kristian u bë kryetar bashkie dhe na ka ndihmuar pafund ne grave. Na ka ndihmuar që të kemi të drejta të barabarta. Fëmijët e mi kanë dashur t’ia japin votat Tom Doshit, pasi ishin mirënjohës, sepse kur nuk kishin asgjë, ai i ka ndihmuar. Në listë, 11 ishte PSD e Tom Doshit”, dëshmoi Fllanza Kola.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB