Nga 1 janari 2026, paga minimale në Shqipëri u rrit me 10 mijë lekë, duke arritur në nivelin 50 mijë lekë në muaj.
Për të zbutur ndikimin e kësaj rritjeje tek bizneset, qeveria ka vendosur të zbatojë një skemë kompensimi financiar për punëdhënësit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi që përcakton rregullat, kriteret dhe mënyrën e përfitimit të këtij kompensimi.
Qëllimi i tij është të mbulojë pjesërisht kostot shtesë që bizneset përballen si pasojë e rritjes së pagës minimale, veçanërisht për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas këtij vendimi, punëdhënësit do të kompensohen për kontributet që paguajnë për punonjësit me pagë minimale, në masën 16.7%. Llogaritja bëhet mbi diferencën e pagës për punonjësit që në shtator 2025 kishin një pagë bruto nga 40 000 deri në 49 999 lekë, krahasuar me pagën e re minimale prej 50 000 lekësh.
Përfitimi do të bazohet në shumën mesatare të fondit të pagave për çdo punonjës, me kusht që numri i punonjësve të mos reduktohet gjatë kësaj periudhe.
Kompensimi do të mbulojë periudhën nga janari deri në shtator të vitit 2026 dhe synon të ndihmojë bizneset të përballojnë rritjen e kostove të punës, duke ruajtur njëkohësisht vendet e punës.
Aplikimet për këtë skemë do të bëhen në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania. Subjektet e interesuara mund të paraqesin kërkesën për kompensim nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 11, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie kompensimi financiar çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit për subjektet që preken nga rritja e pagës minimale.
2. Subjektet përfituese të kompensimit financiar duhet të ushtrojnë aktivitet në të gjithë sektorët ekonomikë të nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe të plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi.
3. Kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashën e pagës bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë, që figurojnë në listëpagesën e deklaruar në organet tatimore për muajin shtator 2025, për përditësimin më të fundit të bërë gjatë vitit 2025.
4. Kompensimi financiar për subjektet jepet çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA), ku kanë adresën e vendit, në të cilin zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë tregtare.
5. Subjektet me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të mos kenë një punonjës në total të regjistruar në listëpagesë;
b) Të mos jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike;
c) Të mos jenë subjekte të regjistruara në statusin e sigurimeve si:
i. i vetëpunësuar (i vetëm);
ii. i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes;
iii. i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes.
ç) Të mos kenë detyrime (principal) ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
6. Subjektet aplikojnë në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania” për periudhën që kërkojnë kompensim, duke filluar nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.
7. Kompensimi financiar jepet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, 16.7%, llogaritur mbi diferencën e pagës së çdo punonjësi me pagë bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në shtator 2025, me pagën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
8. Për subjektet, të cilat në muajin që kërkojnë kompensim kanë reduktuar numrin e punonjësve totalë në më pak se numri i punonjësve me pagë bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në shtator 2025, kompensimi financiar jepet mbi shumën mesatare të fondit që do të përfitonte për punonjës, në rast mosreduktimi të numrit të punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, shumëzuar me numrin aktual të punonjësve në total.
9. Verifikimi i aplikimit kryhet nëpërmjet ndërveprimit elektronik të sistemeve dhe shpërndarja për përfituesit e këtij vendimi bëhet nga drejtoritë rajonale të AKPA-s.
10. Për kryerjen e kompensimit financiar, DRAKPA-ja urdhëron pagesën çdo muaj pranë strukturës së thesarit në degë, brenda 10-ditëshit të parë të muajit, për të gjitha kërkesat e muajit paraardhës. Kryhen aq urdhërpagesa sa janë bankat e nivelit të dytë (BND), me të cilat operojnë subjektet përfituese të kompensimit financiar. Pagesa urdhërohet në llogarinë tranzitore të pagave në BND për shumën totale të subjekteve përfituese në atë bankë dhe paralelisht DRAKPA-ja dërgon në BND listën e subjekteve përfituesve në bankën përkatëse me të dhënat e llogarisë bankare dhe shumën e kompensimit për çdo subjekt.
11. Efekti financiar për periudhën janar – shtator 2026 përballohet nga buxheti i shtetit, miratuar për vitin 2026, në programin “Tregu i punës”, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
12. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA”-thuhet në vendim.
Top Channel