Oboisti shqiptaro-gjerman fiton konkursin “Ymer Skënderi”, 75 kandidatët u vlerësuan nga dirigjenti i njohur Shlomo Mintz

06/03/2026 16:07

Oboisti shqiptaro-gjerman Moritz Koçibelli u shpall fitues i edicionit të dytë të Konkursit “Ymer Skenderi”.

Ai erdhi nga Gjermania në atdhe për t’u prezantuar me publikun shqiptar dhe për t’u njohur me kolegët, që i vlerësoi për talentin në muzikë dhe theksoi se meritojnë më shumë mundësi për t’u promovuar përballë publikut.

“Faleminderit për këtë çmim, ishte shumë bukur të shihja kaq shumë të talentuar këtu. Më pëlqeu rëndësia që i kushtojnë muzikës klasike. Sigurisht që në Gjermani ka mundësi shumë më të mira për talentet e reja, por kjo është arsyeja pse ngjarje të tilla janë shumë të nevojshme për të angazhuar të rinjtë”, u shpreh Moritz Koçibelli.

Juria e kryesuar nga Shlomo Mintz, një emër i njohur në botën e Muzikës klasike ndau çmime për 75 konkurrentët pjesëmarrës në 7 kategori të tjera, përfshirë piano, violin, harqe, frymë, kanto, muzikë dhome, jazz e kitarë.

Të rinjtë kanë nevojë për udhëzime, kanë nevojë të largojnë frikën në skenë dhe të jenë të sigurt në vetvete për të nisur rrugëtimin e tyre. Pres me padurim të kthehem në Shqipëri për më shumë aktivitete të bukura për muzikën klasike“, tha Shlomo Mintz.

Për organizatorët, konkurse të tilla ndihmojnë të rinjtë të shpalosin talentin e tyre në rrugëtimin si artistë profesionistë.

“Noti mësohet në det dhe në këtë rast, ky është deti ku do të mësojnë notin. Gjithë jetën do të paraqiten para publikut, kjo është pjesë e rëndësishme së bashku me audicionet ku marrin pjesë“, u shpreh Dekan i Fakultetit të Muzikës, Arben Llozi.

Nata Finale u shoqërua me performaca nga finalistët që u duartrokitën nga publiku në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB