Nga Përbindëshi i Firences tek Andrei Chikatilo/ Hapet në Xhenova Muzeu i Vrasësve Serialë, më i madhi në Itali

06/03/2026 22:08

Një muze i pazakontë kushtuar historisë së vrasësve serialë është hapur në Gjenova, duke u bërë ekspozita më e madhe e këtij lloji e mbajtur ndonjëherë në Itali.

Pas ndalesave në Firence dhe Torino, Muzeu i Vrasësve Serialë sjell një përvojë gjithëpërfshirëse që eksploron kriminologjinë moderne dhe psikologjinë e kriminelëve më famëkeq në histori.

Ekspozita përfshin 16 seksione tematike dhe zgjat rreth 45 minuta, ndërsa vizitorët shoqërohen nga një udhëzues audio shumëgjuhësh që shpjegon rastet dhe teoritë kryesore të kriminologjisë.

Një pjesë e veçantë i kushtohet Donato Bilancias, njërit prej vrasësve serialë më kompleksë italianë për shkak të përshkallëzimit të krimeve dhe profilit të tij psikologjik. Në muze përmenden edhe figura të tjera të njohura të krimit si Leonarda Cianciulli dhe i ashtuquajturi Përbindëshi i Firences, si dhe emra të njohur të krimit ndërkombëtar si Jeffrey Dahmer, John Wayne Gacy dhe Andrei Chikatilo.

Kuratorët e ekspozitës shpjegojnë se muzeu synon të pasqyrojë interesin në rritje ndërkombëtar për fenomenin e “true crime”, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të kuptojnë më mirë dinamikën dhe ndikimin e veprimeve të këtyre kriminelëve në shoqëri.

Ekspozita përfshin gjithashtu analiza mbi teoritë e kriminologut italian Cesare Lombroso dhe tre seksione të veçanta kushtuar metodave të ekzekutimit në SHBA gjatë shekullit të 20-të, nga karrigia elektrike deri te injeksioni vdekjeprurës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB