Mjegulla pushton Kukësin, kufizohet ndjeshëm shikueshmëria në qytet dhe në akset nacionale

06/03/2026 07:48

Kukësi është zgjuar këtë mëngjes i mbuluar nga një shtresë e dendur mjegulle, e cila ka përfshirë qytetin dhe zonat përreth, duke kufizuar ndjeshëm fushëpamjen për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve.

Fenomeni vjen vetëm një ditë pasi rajoni u përfshi për rreth dy orë nga reshje të dendura shiu, të shoqëruara në disa zona edhe me breshër.

Mjegulla e dendur ka krijuar vështirësi në qarkullim, ndërsa nuk ka kursyer as akset nacionale në segmente të caktuara të rajonit verilindor, ku shikueshmëria është reduktuar ndjeshëm.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Përdorimi i dritave të mjegullës, ulja e shpejtësisë dhe rritja e përqendrimit nga drejtuesit dhe përdoruesit e rrugës janë disa nga udhëzimet kryesore për të shmangur aksidentet automobilistike.

Fenomeni i mjegullës është i zakonshëm për rajonin verilindor gjatë stinës së dimrit. Veçanërisht në muajt dhjetor dhe janar, zonat e këtij rajoni përfshihen shpesh nga mjegulla në orët e para të ditës, duke krijuar herë pas here vështirësi në qarkullim dhe në jetën e përditshme të banorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB