Deputeti Balliu propozon projektligj: Pasuritë e krimit t’u jepen efektivëve të rënë në detyrë, familjeve të viktimave dhe çifteve të reja. Maxhoranca voton kundër

06/03/2026 14:36

Mazhoranca socialiste rrëzoi në Komisionin për Integrimin Europian projektligjin e paraqitur nga deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili synonte përdorimin social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar.

Nisma u kundërshtua nga deputetët e mazhorancës me relatore deputeten Sara Mila. Gjatë diskutimit në komision, Balliu theksoi se projektligji synonte që pasuritë e sekuestruara nga krimi i organizuar të mos mbeten thjesht asete të administruara nga shteti, por të përdoren drejtpërdrejt në shërbim të shoqërisë.

Sipas tij, këto pasuri duhet të shkojnë për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve të pafajshëm që kanë mbetur viktima të atentateve kriminale dhe për mbështetjen e çifteve të reja për strehim, si një mënyrë për të përballuar krizën e banesave dhe shpopullimin e vendit.

Deputeti demokrat u shpreh se iniciativa vjen në një moment kur raportet ndërkombëtare kanë evidentuar fuqizimin ekonomik të krimit të organizuar dhe përdorimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë për pastrimin e parave.

Balliu iu referua në mënyrë të veçantë raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe hetimeve të Antimafias italiane, të cilat sipas tij kanë evidentuar përmasa të mëdha të pasurive të krijuara nga kartelet e drogës shqiptare.

Sipas Balliut, një nga rastet më domethënëse është ai i kartelit “Çoja”, për të cilin hetimet ndërkombëtare kanë evidentuar pasuri që arrijnë deri në rreth 8 miliardë euro.

“Kur përmasa të tilla kapitalesh kriminale hyjnë në ekonomi, ato deformojnë tregun, veçanërisht sektorin e ndërtimit dhe tregun e pasurive të paluajtshme, duke rritur artificialisht çmimet e apartamenteve dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet dhe të rinjtë sigurimin e një banese”, u shpreh Balliu.

Megjithatë, sipas deputetit demokrat, gjatë diskutimit në komision mazhoranca nuk u ndal tek thelbi i nismës, por ngriti vetëm çështjen procedurale të mungesës së tabelës së përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Balliu theksoi se projektligji nuk është një ligj për transpozimin e acquis të BE-së dhe nuk implementon ndonjë direktivë specifike europiane, por synon të krijojë një mekanizëm shtesë për përdorimin e pasurive të konfiskuara në dobi të shoqërisë.

Sipas tij, mesazhi i kësaj nisme është i qartë: pasuritë e krijuara nga krimi duhet t’i kthehen qytetarëve dhe shoqërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB