LIVE/ Një javë luftë në Lindjen e Mesme, forcat amerikane fundosin transportuesen iraniane të dronëve. Izraeli godet 26 herë Bejrutin. Trump: Pas Iranit e ka radhën Kuba

06/03/2026 11:55

Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e shtatë që nga sulmi i parë izraelit në zemër të Teheranit.

Shkëmbimet e zjarrit mes palëve kanë vijuar me ritme intensive edhe pse kapaciteti ofensiv i Iranit është reduktuar ndjeshëm.

Forcat amerikane njoftuan sot se kanë fundosur një transportuese dronësh iranianë, teksa gjenerali i Komandës Qendrore Amerikane ka deklaruar se nuk do të ndalen deri sa të eliminojnë plotësisht marinën detare të Iranit.

Izraeli ndërkohë e ka përqendruar vëmendjen në Liban, ku ka goditur pozicionet e Hezbollahut. Sipas forcave mbrojtëse të Izraelit (IDF) Beiruti u sulmua 26 herë dhe një prej shënjestrave ishte edhe Këshilli Ekzekutiv i Hezbollahut.

Përditësimet live, 6 mars 2026

11:21 Greqia i vjen në ndihmë Bullgarisë, dërgon raketa Patriot për mbrojtje antibalistike

Greqia do të ndihmojë edhe Bullgarinë në mbrojtjen antibalistike ndaj një kërcënimi të mundshëm nga Irani. Njoftimin e ka bërë ministri grek i Mbrojtjes, pas një bisede telefonike me homologun bullgar Atanas Zapryanov.

11:12 “Do të jenë ditë të vështira”/ Ministri i Jashtëm italian: Konflikti në Lindjen e Mesme do të zgjasë të paktën 7 javë

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se konflikti me Iranin nuk do të jetë i shkurtër dhe mund të zgjasë të paktën gjashtë deri në shtatë javë. “Forcat e armatosura iraniane kanë gjithashtu aftësinë të rezistojnë për disa ditë të tjera, këto do të jenë ditë të vështira”, shtoi Tajani.

11:03 Teherani shënjestron sërish Tel Avivin, TCH siguron pamjet e momentit kur mbrojtja izraelite shkatërron 5 raketat iraniane

Qytetarët e Tel Avivit e kanë nisur ditën e sotme me kaos e tension, pas një sulmi iranian. Korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe i cili ndodhet në terren raporton se kryeqyteti izraelit u shënjnestrua mëngjesin e ditës së sotme nga 5 raketa iraniane.

10:55 Dyshohet se spiunuan për Iranin/ 10 të arrestuar në Londër, ndihmuan shërbimin e inteligjencës së jashtme për…

Katër burra, të dyshuar për mbikëqyrjen e komunitetit hebre në Londër, janë arrestuar ditën e sotme me dyshimin për spiunazh në favor të Iranit, njoftoi Policia Metropolitane e Londrës. Të arrestuarit, një iranian dhe tre me shtetësi të dyfishtë britanike-iraniane, dyshohet se kanë ndihmuar shërbimin e inteligjencës së jashtme të Iranit, duke shkelur Aktin e Sigurisë Kombëtare të Britanisë, sipas policisë.

10:26 Dyshohet se spiunoi duke dhënë informacione për shërbimit sekret izraelit Mossad, Irani ekzekuton gjeneralin e Gardës Revolucionare

Gjenerali i forcave speciale të Gardës Revolucionare të Iranit, Esmail Qaani, dyshohet se është ekzekutuar pasi u akuzua për spiunazh në favor të shërbimit sekret izraelit Mossad. Sipas raportimeve në mediat e huaja, Qaani u akuzua për bashkëpunim me inteligjencën izraelite dhe më pas u ekzekutua.
10:13 Tensionet në Lindjen e Mesme, mediat ndërkombëtare: Hezbollahu mund të sulmojë Izraelin edhe nga territori sirian

Hezbollahu po përpiqet të zhvillojë sulme ndaj Izraelit jo vetëm nga territori libanez, por edhe nga Siria. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, qeveria e Damaskut ka udhëzuar komandantët në terren të kundërshtojnë çdo qelizë që synon të kryejë operacione kundër Izraelit nga Siria, në kuadër të mbështetjes së saj për Iranin në luftë

09:54 Sulmet ndaj Iranit, analiza nga CNN: Rritet mbështetja për Netanyahun në Izrael, në rrezik marrëdhëniet me SHBA

Operacioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit po rrit ndjeshëm mbështetjen për kryeministrin Benjamin Netanyahu brenda vendit, por njëkohësisht po krijon tensione dhe polemika në Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Izraelit.

08:50 Vrasja e liderit suprem të Iranit/ Zbulohen detajet nga operacioni sekret i Izraelit, publikuan njoftime të rreme për gjeneralët që të çorientonin…

Vrasja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është përshkruar si një operacion i kryer me kujdes të lartë strategjik dhe elemente surprizë, që sipas raportimeve nxori në pah përdorimin e teknologjisë moderne dhe të luftës psikologjike.

08:54 “Shumica janë larguar”/ Pas sulmit iranian në bazën britanike shkretohet Akrotiri, banorët e zonës braktisin shtëpitë e bizneset

Komuniteti i Akrotirit, në Limasol të Qipros, është shndërruar në një qytet fantazmë, ndërsa tensionet në rritje në Lindjen e Mesme sjellin pasiguri dhe frikë në të gjithë rajonin. Siç raporton gazeta spanjolle El País, skena në Akrotiri ditët e fundit ka qenë çuditërisht e qetë: tavolinat në taverna dhe kafene mbeten gati për klientët, por bizneset janë të mbyllura dhe rrugët janë pothuajse të shkreta.

08:45 Tensionet në Lindjen e Mesme, Zelensky: SHBA-ja na ka kërkuar mbështetje, duan t’i furnizojmë me dronë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar mbështetje specifike në mbrojtjen kundër dronëve “Shahed” në rajonin e Lindjes së Mesme.

08:32 Sulmet intensive amerikano-izraelite në Teheran, shënjestrohet edhe kompleksi i udhëheqësit të vrarë Ali Khamenei

Sulmet ajrore amerikano-izraelite dhe një fushatë intensive bombardimesh në Teheran, në orët e para të mëngjesit, kanë shënjestruar edhe kompleksin e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

08:14 Izraeli godet dhjetëra objektiva në Bejrut, mes tyre selinë e Këshillit Ekzekutiv të Hezbollahut

Forcat izraelite kanë deklaruar se gjatë natës kanë goditur dhjetëra objektiva të lidhura me Hezbollahun në Bejrut. Sipas ushtrisë izraelite, në shënjestër kanë qenë disa ndërtesa shumëkatëshe që pretendohet se përdoreshin nga organizata për aktivitete ushtarake.

08:11 SHBA-të shkatërrojnë një transportuese iraniane dronësh, gjenerali amerikan: Do ta fundosim të gjithë marinën e regjimit

Ushtria amerikane ka goditur një transportues dronësh iranianë, sipas një deklarate nga Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila tha se anija tani është përfshirë nga flakët.

07:58 “Përdorimi i trupave tokësorë në Iran do të ishte humbje kohë”, Trump: Ata kanë humbur gjithçka që kishin

Vendosja e trupave tokësore amerikane në Iran nuk do të ishte gjë tjetër veçse një “humbje kohe”, tha mbrëmë në një intervistë telefonike me NBC News presidenti amerikan, Donald Trump duke e konsideruar të panevojshme masën.

07:23 Iranianët sulmojnë Abu Dhabin dhe Dubain me dronë dhe raketa, godasin edhe Tel Avivin

Emiratet e Bashkuara Arabe përjetuan një natë tensioni të lartë pasi Irani ndërmori sulme me dronë dhe raketa ndaj qyteteve Dubai dhe Abu Dhabi, duke rritur më tej frikën për përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB