Seancë pa kuorum me vetëm 64 deputetë, Albulena Haxhiu i kërkon komisionit të legjislacionit të verifikojë 2 kandidatët për President

05/03/2026 22:50

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme në limitet e kohës për zgjedhjen e Presidentit.

“Janë 64 deputetë të pranishëm, në këtë rast i ftoj deputetët që nuk janë të pranishëm që të vijnë në seancë. Kemi kuorum të mjaftueshëm për vazhdim”, tha kryetarja e Kuvendit.

Për zgjedhjen e presidentit duhet 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Unë nuk kam marr asnjë njoftim se pse mungojnë deputetët. Kërkoj nga deputetet e kuvendit që nuk janë të pranishëm të vijnë në sallë”, u shpreh Haxhiu.

Kryeparlamentarja po citon gjithashtu aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se deputetët duhet të ndihen të obliguar për pjesëmarrje në seancë.

Vetëm 66 deputetë në sallë, vazhdon seanca për zgjedhjen e presidentit.

Glauk Konjufca formalisht propozohet si kandidat për president, ndërsa përballë tij është Fatmire Kollçaku Mulhaxha.

Për shkak të mungesës së kushteve, amendamentet kushtetuese të kërkuara nga Osmani nuk janë votuar në seancën e parë, duke njoftuar mbajtjen e seance së orës 22:00, e cila është duke vazhduar ende.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Leonita Bajrami, PDK dhe LDK kanë dalë kundër propozimeve të Osmanit.

Zbardhen deklaratat nga seanca e jashtëzakonshme:

Arbërie Nagavci – deputete, Vetëvendosje

“Një president i zgjedhur nga qytetarët, duhet të fitojë votën e shumicës së qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë, e jo vetëm të deputetëve, e kjo mund të bëj që një figurë mund të jetë përbashkuese për qytetarët dhe për vendin”.

Bedri Hamza – deputet, Partia Demokratike e Kosovës

“Ne konsiderojmë që kjo do një diskutim më të gjerë, një konsensus më të gjerë edhe politik, mes subjekteve politike edhe të gjithë tjerëve, që në të ardhmen të startojë në mënyrë të rregullt diskutimi për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në këtë mënyrë, nuk mund të flasim në mënyrë meritore sonte. Jo sonte, por shumë më herët kam pritë që Kosova ta ketë zgjedhur presidenten, apo presidentin dhe jo të vijmë në këtë situatë ku në orët e fundit të mandatit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të sfidohen me një seancë të jashtëzakonshme, pa material dhe të flasim për amendamentimin e Kushtetutës

Në parim jemi për, por kjo kërkon një trajtim në përputhje me ligjet, rregulloren e Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Lumir Abdixhiku – deputet, Lidhja Demokratike e Kosovës

“Mungesa e vullnetit të dyfishtë, përveç që duhen dy të tretat e shqiptarëve, duhen dy të tretat edhe të jo shqiptarëve dhe çështja e dytë që duhet ta kuptoni, në ato amendamente thotë qartë se këto amendamente hyjnë në fuqi gjashtë muaj pasi të votohen në kuvendin e Kosovës e ne jemi dy tre orë larg afatit parlamentar.

Edhe po t’i kalojmë, e duket që nuk i kemi pakicat këtu sepse nuk i kemi pas për 14 vite, sepse mos harroni që kërkesat e tyre kanë qenë shumë më të thella, kanë qenë për zëvendëspresident serb, prandaj s’kemi arritur asnjëherë të bëjmë kompromis, por edhe sikur të kalonte një gjë e tillë, këto amendamente hyjnë në fuqi gjashtë muaj nga sot, e ne jemi dy tre orë larg para dekretit potencial për zgjedhje të reja.

Kishte qenë mirë që këtë kohë ta kishim shfrytëzuar më mençur, por këto janë manovra politike, të natës, nata nuk ka bereqt, prandaj LDK-ja i mbështetë dhe i voton.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB