Rrëfimi prekës i Alessia Vessicchio në “Ftesë në 5” për dirigjentin e famshëm italian: Peppe ishte babai im që kur isha 7 vjeçe

04/03/2026 12:18

Alessia Vessicchio ishte e ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, në një intervistë të veçantë që erdhi në një moment domethënës për të dhe familjen e saj.

Biseda u zhvillua në atmosferën e Sanremo 2026, festivali i parë pa dirigjentin e njohur Peppe Vessicchio, i cili u nda nga jeta në nëntor të vitit 2025.

Gjatë intervistës, Alessia ndau kujtime dhe reflektime personale për marrëdhënien me të atin, duke zbuluar një detaj të panjohur më parë për publikun shqiptar.

“Ishte babai im që kur isha 7 vjeçe”, u shpreh ajo, duke treguar se Peppe Vessicchio nuk ishte babai i saj biologjik, por figura që e rriti dhe e shoqëroi gjatë gjithë jetës, burri i dytë i nënës së saj.

Ajo theksoi se të qenurit vajza e një personaliteti kaq të dashur të muzikës italiane ka qenë njëkohësisht një fat dhe një përgjegjësi e madhe për të. Alessia kujtoi gjithashtu periudhën kur babai i saj kishte qenë i ftuar në programin “E Diell” në Top Channel në vitin 2010, kohë kur ajo punonte si autore në këtë televizion.

Në rrëfimin e saj, Alessia ndau edhe momente nga jeta private e dirigjentit të ndjerë, duke e përshkruar si një muzikant që dashurinë për njerëzit e kthente në nota muzikore, por edhe si një figurë familjare të ngrohtë. “Ai ishte një gjysh që luante me lego”, tha ajo, duke zbuluar një anë më pak të njohur të artistit për publikun.

Gjatë bisedës në studio, Alessia u ndal edhe te libri i saj më i fundit, “Fino a te”, ku, sipas saj, janë përfshirë “5 breza vajzash të familjes”, si një mënyrë për të ruajtur dhe treguar trashëgiminë e grave në familjen Vessicchio.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB