‘Kushdo që dëshiron të jetë udhëheqës në Teheran përfundon i vdekur’, Trump vlerëson operacionin ndaj Iranit: Notë perfekte 15
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Greke (KKE), Dimitris Koutsoubas, deklaroi sonte në stacionin televiziv Action 24 se qeveria greke po përfshihet në atë që ai e quajti “luftë imperialiste” të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, duke paralajmëruar se tensionet në Lindjen e Mesme mund të kenë pasoja direkte edhe për Greqinë.
Z. Koutsoubas tha se informacioni i tij i besueshëm tregon se nga katër dronët që u kapën mbi hapësirën ajrore të Qipros, dy ishin të drejtuar drejt bazës britanike në Akrotiri, ndërsa dy të tjerët kishin destinacion bazën amerikane në Sudë, në ishullin e Kretës. Sipas tij, ky incident shkaktoi një alarm të menjëhershëm në bazën e Sudës.
“U thashë edhe parlamentarëve se nga 4 dronët që u drejtuan nga Irani drejt Qipros dhe Greqisë, dy ishin të drejtuar në bazën britanike në Akrotiri dhe dy të tjerët në Sudë. Mendoj se ky është rasti, sepse pati një alarm të menjëhershëm në bazën e Sudës”, tha Koutsoubas.
Sekretari i KKE-së gjithashtu bëri të ditur se qeveria ka marrë vendimin për të transferuar sistemet kundërajrore në ishullin Karpathos, për të përforcuar mbrojtjen e hapësirës ajrore greke përballë kërcënimeve iraniane. Ai paralajmëroi se nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet, bazat amerikane në Greqi, dhe jo Greqia në tërësi, mund të bëhen objektiv hakmarrjeje.
Koutsoubas theksoi se qeveria duhet të shmangë përfshirjen e vendit në një konflikt ndërkombëtar dhe të mbrojë popullin grek nga pasojat e një përshkallëzimi ushtarak në rajon.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, pas sulmeve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj objektivave iraniane, ndërsa forcat iraniane kanë intensifikuar përdorimin e dronëve dhe raketave në drejtim të bazave ushtarake ndërkombëtare.
Top Channel