Tregtimi në bursat kryesore të Emirateve të Bashkuara Arabe rinisi sot pas një pezullimi dy-ditor të vendosur nga autoritetet, me qëllimin që të mbroheshin tregjet nga luhatjet e forta gjatë kësaj periudhe tensioni të lartë gjeopolitik në Lindjen e Mesme.
Abu Dhabi Securities Exchange dhe Dubai Financial Market filluan sërish veprimet pas një ndalimi të hënën dhe të martën, teksa autoritetet po monitoronin me kujdes zhvillimin e shpejtë të ngjarjeve në rajon.
Ahmad Assiri, Strateg i Hulumtimit në Pepperstone, thotë se kjo çelje e bursave shoqërohet me një aktivitet të shtuar dhe luhatje çmimesh në fazën e parë, duke qenë se tregjet përpiqen të përpunojnë dy ditë lajmesh ndërkombëtare dhe rajonale.
Mbyllja dy-ditore u vendos si masë parandalimi për stabilitet financiar dhe për t’u dhënë kohë investitorëve të vlerësojnë zhvillimet rreth Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.
Autoritetet theksuan se pezullimi synon të shmangë vakumin e likuiditetit dhe përplasjet e paparashikuara të tregut. Investitorët rajonalë po ndjekin tregun e Arabisë Saudite si model. Indeksi kryesor saudit ra fillimisht 5% të dielën pas përshkallëzimit të sulmeve, por deri të martën u rikuperua sërish. Shpresat janë që të njëjtin model të ndjekin edhe tregjet në Emiratet e Bashkuara.
Euronext, kompania që menaxhon Bursën e Parisit, pohon se aksione europiane gjithashtu shfaqën një rimëkëmbje të lehtë në hapjen e bursave, pas dy seancash rënieje për shkak të rritjes së çmimeve të naftës të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme.
Presidenti Donald Trump deklaroi më herët se marina amerikane mund të nisë shoqërimin e cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit nëse kjo do të jetë e nevojshme, një nga hapat më agresivë të administratës së tij për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta.
Ky njoftim mjaftoi që të vihej re një lloj stabilizimi i çmimit të naftës, edhe pse trajektorja e tij ka vijuar të jetë e lartë.
Top Channel