“Është koha për t’u larguar”, milionerët e Dubait paguajnë qindra mijëra dollarë për të shpëtuar nga lufta
Inteligjenca iraniane i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara sinjale indirekte se Teherani mund të jetë i gatshëm të hapë bisedime për t’i dhënë fund luftës, sipas burimeve të njohura me mesazhet.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë këmbëngulin se nuk ka negociata në zhvillim dhe se një “dalje” diplomatike nuk pritet në afat të shkurtër.
Sipas raportimeve të para nga The New York Times, mesazhet janë përcjellë drejt CIA përmes një vendi të tretë. Por deri tani, kanali nuk ka prodhuar diskutime serioze për përfundimin e konfliktit.
Në vend të kësaj, administrata amerikane ka sinjalizuar hyrjen në një fazë më intensive të operacionit të përbashkët me Izraelin për të degraduar programin raketor të Iranit dhe për të parandaluar pajisjen e tij me armë bërthamore. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se SHBA-të “sapo kishin filluar”, ndërsa ligjvënësit e informuar mbi situatën nuk raportuan për ndonjë objektiv të qartë përfundimtar apo nismë konkrete diplomatike.
Nga ana e tyre, udhëheqësit iranianë nuk kanë shfaqur publikisht gatishmëri për negociata, ndërsa vendi përballet me pasoja të rënda nga sulmet izraelite. Zyrtarët amerikanë theksojnë se nuk kanë zhvilluar bisedime, as drejtpërdrejt, as përmes palëve të treta, që prej dështimit të negociatave bërthamore pak ditë para shpërthimit të luftës.
I dërguari i posaçëm i presidentit, Steve Witkoff, i cili kishte udhëhequr tre raunde negociatash me Iranin përpara se presidenti Donald Trump të urdhëronte sulmet, nuk ka qenë në kontakt me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, as me zyrtarin e lartë të sigurisë kombëtare, Ali Larijani.
“Nuk po përdorim askënd si bashkëbisedues. Ky është një veprim ushtarak dhe duhet të vazhdojë sipas planit të vet”, tha një zyrtar i lartë i administratës.
Edhe nga Teherani vijnë deklarata mohuese. Zëvendësministri i Jashtëm, Majid Takht-Ravanchi, deklaroi në MS Now se Irani nuk ka dërguar asnjë mesazh drejt SHBA-së. “Jemi në gjendje mbrojtjeje dhe po përqendrohemi te mbrojtja e vetes. Nuk kemi dërguar asnjë mesazh dhe nuk kemi marrë asnjë mesazh nga Amerika apo nga askush tjetër,” tha ai.
Pasiguri në Teheran dhe qëndrime të ashpra nga Izraeli
Situata ndërlikohet nga vakumi i krijuar pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, gjatë fundjavës. Identiteti i pasuesit mbetet i paqartë, ndërsa Izraeli ka paralajmëruar se çdo udhëheqës i ri që vazhdon politikat armiqësore do të jetë objektiv.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se çdo lider i ri që do të ndjekë planet për shkatërrimin e Izraelit do të jetë “objektiv i qartë për eliminim”.
Presidenti Trump ka dhënë sinjale të përziera për mundësinë e dialogut. Në një intervistë për The Atlantic, ai tha se ishte i gatshëm të fliste me udhëheqësit e rinj iranianë. “Ata duan të flasin dhe unë kam rënë dakord të flas”, deklaroi ai. Por një ditë më pas, në një postim publik, ai shkroi: “Ata duan të flasin. Unë thashë ‘Tepër vonë!’”
Ndërsa përplasjet vazhdojnë, mbetet e paqartë nëse sinjalet e heshtura do të shndërrohen në një kanal real diplomatik apo nëse konflikti do të hyjë në një fazë edhe më të ashpër.
Top Channel