Ushtria amerikane rrëzon një tjetër raketë balistike, dyshohet se kishte destinacion bazën e Sudës në Greqi Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, nuk vdiq vetëm: Në fakt, sulmet e SHBA-së dhe Izraelit i kanë kushtuar jetën edhe një sërë figurave të tjera të larta të regjimit të Ajatollahëve.
Vrasjen e disa prej figurave kyçe të lidershipit vendas e konfirmoi edhe agjencia e lajmeve IRNA, duke nisur nga Ali Shamkhani, sekretar i Këshillit të Mbrojtjes së Iranit dhe këshilltar i ngushtë i Khameneit. 70-vjeçari kishte mbikëqyrur negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbi programin bërthamor iranian, raundi i fundit i të cilave përfundoi të premten.
Shamkhani kishte qenë shënjestër e sulmeve izraelite në qershor të vitit 2025, gjatë luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit. Asokohe u raportua se ai kishte vdekur gjatë sulmit, por më vonë u konfirmua se në fakt kishte mbijetuar dhe u nxor i gjallë nga rrënojat e shtëpisë së tij, edhe pse me plagë të rënda.
Së fundi, ishte emëruar sekretar i Këshillit të Mbrojtjes së Iranit, i krijuar pas luftës dhe që koordinon politikat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të Iranit, ndërsa mobilizon burime për të menaxhuar kërcënimet.
I vrarë nga sulmet ka mbetur edhe Abdolrahim Mousavi, shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, i cili ishte emëruar në këtë post nga Khamenei pak ditë pas sulmeve izraelite mbi Iranin në qershor të vitit të kaluar.
Sulmet i morën jetën edhe Aziz Nasirzadeh, që shërbeu si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 2024. Ai më parë kishte qenë zëvendësshef i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe gjithashtu komandant i Forcës Ajrore iraniane nga 2018 deri në 2021. Gjatë sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, Nasirzadeh luajti një rol kyç në mbrojtjen e infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore të Iranit.
Një tjetër figurë e lartë e eliminuar nga Izraeli është Mohammad Pakpour, që shërbeu si komandant i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike nga qershori 2025 deri në vdekjen e tij, njeriu që kishte drejtuar forcat tokësore të IRGC për 16 vjet dhe shërbeu gjithashtu si zëvendëskomandant i të gjitha operacioneve të saj.
Sipas Al Jazeeras, tani një këshill trepersonësh i përbërë nga Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian, Kryetari i Gjykatës së Lartë Gholam-Hossein Mohseni-Ejei dhe një nga juristët e Këshillit të Gardianëve – do të marrë përkohësisht të gjitha detyrat udhëheqëse në vend.
Top Channel