Pas sulmeve me dronë nga Irani/ Mbyllet për arsye sigurie Varri i Shenjtë, Jerusalemi në gatishmëri të lartë
Milionerët dhe qytetarë të pasur të Dubait po largohen me urgjencë nga qyteti kozmopolit dhe i ndritshëm, duke paguar shuma astronomike për të shpëtuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Raketat dhe dronët iranianë që shfaqeshin mbi rrokaqiejt dhe sulmet në hotele luksoze kanë shkaktuar panik mes banorëve të pasur, të cilët kërkojnë rrugëdalje përmes Omanit dhe destinacioneve evropiane.
Familja turke e Evrim, e cila pagoi 200,000 dollarë për një fluturim privat nga Muscat në Gjenevë, tha se vendimi erdhi pas një zjarri që shpërtheu në hotelin e tyre luksoz pranë ishujve të Palm-it, kur ranë mbeturinat e raketave. “Kur pamë zjarrin, thamë: ‘Është koha për t’u larguar’”, tha Evrim, duke shtuar se udhëtimi për në Oman përmes shkretëtirës zgjati gjashtë orë dhe ishte i tensionuar, veçanërisht për fëmijët.
Emiratet e Bashkuara Arabe po përballen me sulmet kryesore iraniane në Gjirin Persik, përfshirë mbi 800 dronë dhe 200 raketa, duke shkaktuar të paktën tre viktima dhe dëme në infrastrukturë, aeroportet dhe impiantet e naftës. Disa qeveri të huaja, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, po evakuojnë qytetarët e tyre përmes Omanit, por fluturimet komerciale janë të kufizuara.
Kërkesa për avionë privatë dhe automjete për të dalë nga Dubai është rritur ndjeshëm. Menaxherë të kompanive të avionëve privatë raportojnë një rritje të kërkesës dhe çmimeve, ndërsa klientët kryesisht janë perëndimorë të pasur që kërkojnë evakuim të shpejtë. Për ata me të ardhura më të ulëta, largimi mbetet një sfidë e madhe.
Një emigrant britanik tha se kishte kaluar vështirësi për të gjetur një fluturim komercial për veten, gruan shtatzënë dhe djalin e tyre trevjeçar, duke paguar shumë më shumë se normalisht dhe duke pritur në kufijtë e mbingarkuar të Omanit. Ai tha se, pavarësisht shqetësimeve, familja e tij planifikon të kthehet në Dubai sapo situata të qetësohet.
Top Channel