Nga Auron Tare

Sot në mëngjes më telefonoi organizatori i një grupi të vogël amerikanësh që kishin planifikuar të udhëtonin në Shqipëri këtë pranverë.

“Si është situata në Shqipëri?” – më pyeti.

“Qetësi,” – i thashë. “Sapo ka filluar pranvera dhe vendi po përgatitet për sezonin turistik.”

“A keni ndonjë rrezik nga lufta?” – vazhdoi organizatori i grupit.

“Jo,” – iu përgjigja. “Nuk kemi lidhje me këtë luftë.”

“Të pyes,” – tha bashkëbiseduesi, “sepse disa anëtarë të grupit më dërguan një informacion që e kanë lexuar në internet, se në Shqipëri strehohet opozita iraniane.”

“Është një grup që i është dhënë strehim humanitar,- sqarova, “nuk ka asnjë lidhje me çështje politike nga ana e Shqipërisë.”

Biseda vazhdoi me programin e udhëtimit. Por pas kësaj bisede, pashë në fakt se çfarë thuhej në internet për opozitën iraniane që strehohet në Shqipëri.

Jam i bindur që Shqipëria nuk ka arsye të ketë frikë nga ndonjë përshkallëzim apo tension me Iranin. Por, duke qenë se jemi përpara sezonit turistik dhe tregu ndërkombëtar është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj lufte në Lindjen e

Mesme, ndoshta retorika politike dhe media duhet të jenë të kujdesshme për të mos e rreshtuar vendin tonë në pararojën e servilizmit politik, thjesht për të rënë në sy.

Do të ishte më e dobishme, mendoj unë, nëse energjia politike dhe ekzekutive do të fokusohej në gjetjen e një zgjidhjeje për menaxhimin e plehrave, në rrugë të sigurta, qytete të pastra, cilësi shërbimi në tregun turistik, bujqësi të shëndetshme e kështu me radhë.

Kjo, besoj, do t’i shërbente vendit shumë më tepër sesa hosanat pa vlerë në një konflikt global që as na pyet njeri dhe as kemi mundësi të përfshihemi.

Më poshtë po sjell të përkthyer informacionin që qarkullon në hapësirën online mbi opozitën iraniane të strehuar në Shqipëri.

Nga Wikipedia

“Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), një grup opozitar iranian në mërgim, është vendosur në Shqipëri që rreth vitit 2013, me afërsisht 2,500–3,000 anëtarë që banojnë në kampin e fortifikuar Ashraf-3 pranë Manzës. Strehimi i këtij grupi, i cili synon rrëzimin e qeverisë iraniane, ka shkaktuar tensione të konsiderueshme diplomatike, përfshirë sulme të mëdha kibernetike ndaj Shqipërisë nga Irani.

Vendndodhja dhe aktiviteti: MEK-u ndodhet në Kampin Ashraf-3, një kompleks i madh dhe i sigurt në perëndim të Tiranës. Ata janë aktivë në lobim politik, duke organizuar shpesh tubime me figura të njohura perëndimore që mbështesin ndryshimin e regjimit në Iran.

Shqetësime për sigurinë: Autoritetet shqiptare kanë raportuar se kanë parandaluar sulme ndaj kampit nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Kontroversat: Grupi është kritikuar për pretendime se funksionon si kult, duke mbajtur anëtarët kundër vullnetit të tyre dhe duke kufizuar kontaktet me botën e jashtme.

Sfondi: MEK-u u hoq nga lista e organizatave terroriste të SHBA-së në vitin 2012, duke mundësuar zhvendosjen e tyre nga Iraku në Shqipëri në kuadër të një marrëveshjeje të mbështetur nga SHBA.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB