Qiproja vendi i parë i BE-së që u shënjestrua nga Irani, sulm i dyfishtë ndaj bazës britanike në Akrotiri
Teksa në Iran e pjesë të tjera të botës, shumë e pritën me një ndjenjë lehtësimi lajmin e vrasjes së Ajatollahut Ali Khamenei dhe një sërë figurave të tjera të regjimit, nuk kanë munguar nga ana tjetër as protestat ndaj shënjestrimit të liderit shpirtëror të Republikës Islamike.
Në Shtetet e Bashkuara, tubues u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhe dhe në Times Square për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj përfshirjes ushtarake të SHBA-së në rajon.
“Ndërhyrja u miratua nga Kongresi, kështu që ajo që po bën Trump po e shndërron vendin në një shtet fashist. U soll si një fëmijë që s’ka durim. Është si të thuash, ICE nuk funksionoi, pra le të trazojmë gjërat në Lindjen e Mesme. Ai e bombardoi Iranin pa asnjë arsye të veçantë”-u shpreh një protestuese.
Edhe në pjesën e Kashmirit të administruar nga India, forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës gjatë përplasjeve me mijëra demonstrues që po protestonin për vrasjen e liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei. Një ditë më parë, dhjetëra mijëra vetë në rajonin me shumicë myslimane kishin marrë pjesë në një protestë paqësore kundër sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit që çuan në vdekjen e liderit iranian.
25 të vdekur është sipas AFP-së bilanci i viktimave të protestave të dhunshme në Pakistan gjatë fundjavës, pasojë e vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei. Demonstrata shpërthyen në disa qytete të mëdha pakistaneze, përfshirë Karachin, ku një grup protestuesish tentuan të sulmonin ndërtesat amerikane. Një gazetar i AFP-së rrëfeu se kishte qënë dëshmitar i momentit kur qindra tubues pro-iranianë ishin përpjekur të hynin në konsullatën e Shteteve të Bashkuara, gjë që shkaktoi përplasje me policinë. Sipas burimeve të policisë në Karachi, në këtë qytet ka pasur të paktën 10 vdekje shumica pasojë e plagëve nga armë zjarri. Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit shkaktuan 13 të vdekur në rajonin verior Gilgit-Baltistan dhe Skardu, ndërsa dy të vetë u vranë në kryeqytetin Islamabad.
Në Gilgit dhe Skardu, autoritetet kanë vendosur orën policore, e cila do të mbetet në fuqi deri të mërkurën, teksa ushtria po patrullon nëpër rrugë. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara i nisën operacionet e tyre ushtarake ndaj Iranit në fillim të së shtunës, duke vrarë shpejt liderin suprem që e kishte mbajtur postin për dekada, e duke nxitur zemërim në Pakistanin fqinj.
Top Channel