Dalin videot e dëshmive të Bill e Hillary Clinton në Kongres për lidhjen me Epstein: E vërteta e fotos në vaskë, biseda me Donald Trump për financierin
Lufta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa konflikti është përhapur gjatë natës edhe në Liban.
Izraeli dhe Hezbollah shkëmbyen zjarr, me shpërthime të raportuara në jug të Bejrutit. Ndërkohë, Izraeli urdhëroi evakuimin e banorëve të mbi 50 qyteteve dhe fshatrave në Liban përpara sulmeve të paralajmëruara.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një video se “operacionet luftarake” kundër Iranit do të vazhdojnë “derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”, duke paralajmëruar se mund të ketë më shumë viktima amerikane. Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se tre anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë në një sulm iranian.
Në Izrael, raketat iraniane goditën qytetin Beit Shemesh, duke vrarë të paktën nëntë persona, sipas shërbimit të ambulancës Magen David Adom. Ky konsiderohet sulmi më vdekjeprurës ndaj Izraelit që nga nisja e luftës.
Në orët e para të së hënës, Izraeli nisi sulme ndaj objektivave që i cilësoi si të Hezbollahut në Liban, pasi grupi militant qëlloi me raketa drejt territorit izraelit. Zyrtarët iranianë raportuan se të paktën 153 persona u vranë pas një sulmi në një shkollë vajzash. Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, e cilësoi incidentin si një “akt barbar”.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se tre persona janë vrarë që nga e shtuna në sulmet hakmarrëse të Iranit. Shpërthime janë raportuar gjithashtu në Bahrein, në qytetin irakian Erbil dhe në Jordani. Ndërkohë, çmimet globale të naftës u rritën ndjeshëm me hapjen e tregjeve aziatike të hënën në mëngjes, si reagim ndaj përshkallëzimit të konfliktit.
Kur Will Bailey zbriti nga një aeroplan në Dubai në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kjo supozohej të shënonte një kapitull të ri në jetën e tij. Influencuesi i fitnesit nga Mbretëria e Bashkuar kishte bërë udhëtimin me qëllim zhvendosjen e biznesit të tij të stërvitjes atje dhe sigurimin e lejes së qëndrimit. Por brenda 24 orëve nga mbërritja e tij, ai po dokumentonte sulmet me raketa iraniane në disa nga lagjet më të njohura të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
Izraeli kishte vite që monitoronte në detaje lëvizjet e zyrtarëve të lartë iranianë në Teheran, përpara sulmit ajror të së shtunës ku mbeti i vrarë lideri suprem iranian, Ali Khamenei. Kështu raporton Financial Times, duke cituar burime me njohuri mbi operacionin.
22:48 Sulmet në Kuvajt, shkon në 6 numri i ushtarëve amerikanë të vrarë
Ka shkuar në gjashtë numri i ushtarëve amerikanë të vrarë në Kuvajt. Një përditësim nga Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) thotë se gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë në aksion. Sipas BBC forcat amerikane kanë marrë trupat e “dy ushtarëve të zhdukur më parë nga një strukturë që u godit gjatë sulmeve fillestare të Iranit në rajon”.
22:44 Pas deklaratës së Trump, reagon edhe Rubio: Goditjet më të rënda ndaj Iranit nuk kanë ardhur ende
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “goditjet më të rënda ndaj Iranit ende nuk kanë ardhur”, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të mëtejshëm të veprimeve ushtarake. “Nuk do të hyj në detaje, por faza tjetër do të jetë edhe më e ashpër”, deklaroi ai. Deklarata e tij vjen vetëm disa orë pasi presidenti Donald Trump bëri njoftime të ngjashme lidhur me operacionet ushtarake kundër Iranit.
Një zyrtar iranian thotë se Irani do t’i “vërë flakën kujtdo që përpiqet të kalojë” nëpër Ngushticën e Hormuzit. Paralajmërimi vjen nga Ebrahim Jabbari, një këshilltar i Komandantit të Përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, duke folur në televizionin shtetëror.
22:35 Harta dhe grafika, ku po e sulmojnë SHBA dhe Izraeli regjimin e Iranit dhe si po përgjigjet Teherani
Lufta në Lindjen e Mesme po zgjerohet pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin të shtunën, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj disa prej fqinjëve të tij, përfshirë shtete të Gjirit që janë aleate të SHBA-së. Izraeli dhe Hezbollahu po ashtu po shkëmbejnë goditje ndërsa konflikti përhapet.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është shprehur e shqetësuar për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pas sulmit izraelito-amerikan ndaj Iranit, duke theksuar se situata aktuale është pasojë e një krize më të gjerë të së drejtës ndërkombëtare.
“Irani do të sulmojë çdo bazë amerikane në Evropë nëse është e nevojshme”, ka kërcënuar ambasadori i Iranit në Spanjë, Reza Zabib. Ai tha se Irani është “një vend i aftë të reagojë”. Në të njëjtën kohë, ministri i brendshëm i Spanjës urdhëroi rritjen e mbikëqyrjes dhe sigurisë në të gjithë Spanjën për shkak të kërcënimeve të mundshme.
Sirenat e alarmit ajror u dëgjuan për herë të parë pas dekadash në tokën qipriote, pas një sulmi të dyfishtë ajror ndaj bazës britanike në Akrotiri. Sipas informacioneve, objekti u tentua të goditej edhe nga mjete ajrore pa pilot, duke shkaktuar reagime të menjëhershme politike dhe ushtarake në Athinë.
Katari ndaloi prodhimin e gazit natyror të lëngshëm të hënën, ndërsa Irani vijoi të sulmonte vendet e Gjirit në shenjë hakmarrjeje për sulmet izraelite dhe amerikane kundër tij, duke shkaktuar mbyllje paraprake të objekteve të naftës dhe gazit në të gjithë Lindjen e Mesme.
Një shtetas nga Gjeorgjia është ndaluar nga autoritetet greke, pasi dyshohet për veprimtari të mundshme spiunazhi në zonën e bazës ushtarake të Sudës, në Hania të Kretës. Korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku, raporton se sipas informacioneve, ai kishte mbërritur fillimisht në Athinë dhe më pas kishte udhëtuar drejt Haniasë si turist.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi se nuk e përjashton mundësinë e një operacioni tokësor në Iran dhe Liban. Ai shtoi se shpresonte që konflikti të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, por përsëriti se Izraeli dëshiron të arrijë objektivat e tij.
Departamenti i Shtetit ka lëshuar një alarm sigurie, duke këshilluar qytetarët amerikanë në Iran të kërkojnë strehim në një vend të sigurt ose të largohen nga vendi me rrugë tokësore sa më shpejt të jetë e mundur.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit përbëjnë një “shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”, duke paralajmëruar për pasoja të rënda për sigurinë rajonale dhe globale nëse nuk ndërmerren veprime për të arritur një armëpushim. Sipas raportimeve, Erdogan theksoi se Turqia do të intensifikojë kontaktet diplomatike derisa të vendoset armëpushimi dhe të rikthehet qetësia në rajon.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se programi raketor i Iranit kishte për qëllim të mbështeste zhvillimin e armëve bërthamore, duke e konsideruar këtë një kërcënim të patolerueshëm për Lindjen e Mesme dhe për popullin amerikan. “Ndërsa SHBA-të ishin vendi që donin ta ndalonin këtë, të gjithë ishin me ne”, tha Trump, duke theksuar se një regjim iranian i armatosur me armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi do të ishte një rrezik serioz për rajonin dhe për Amerikën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani ka injoruar paralajmërimet e Shtëpisë së Bardhë për të mos rindërtuar programin e tij bërthamor. “Pas shkatërrimit të programit bërthamor të Iranit pak kohë më parë, ne i paralajmëruam ata të mos bënin asnjë përpjekje për ta rindërtuar në një vend tjetër, sepse nuk ishin në gjendje t’i përdornin ato që ne i hodhëm në erë me aq fuqi. Megjithatë, ata i injoruan këto paralajmërime dhe refuzuan të ndërprisnin përpjekjet e tyre për armë bërthamore”, tha presidenti.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Iran, nëse situata do ta kërkojë një gjë të tillë. Trump theksoi se administrata e tij po shqyrton të gjitha opsionet. “Unë nuk them, si çdo president, ‘Nuk do të ketë trupa në terren’. Unë them, ‘Ndoshta nuk kemi nevojë për to’, ose ‘Ata do të jenë atje nëse janë të nevojshëm’”, u shpreh ai.
Pas vdekjes së Ali Khameneit, themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, një nga nipërit e po përmendet si një figurë e mundshme në rolin e pasardhësit. Zhvillimet e fundit dhe pasiguria rreth udhëheqjes kanë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e trashëgimisë politike në Iran.
16:59 E quajnë “Kallashnikovi i Iranit”, ky është droni Shahed që goditi Qipron
Një armë e lirë, e prodhuar në masë dhe me një zhurmë që i ngjan asaj të një kositëseje bari është përdorur në sulmin ndaj bazës britanike në Akrotiri, Qipro. Bëhet fjalë për dronët iranianë “Sahed”, të cilët udhëtojnë me rreth 185 km/orë dhe u përdorën në një sulm të dyfishtë, ku të paktën dy mjete ajrore pa pilot u hodhën drejt objektivit, por asnjëri nuk e goditi shënjestrën.
Presidenti Donald Trump i tha CNN-së se ushtria amerikane po e “shkatërron” Iranin, por se vala e madhe ende nuk ka ardhur. “Po i shkatërrojmë shumë”, i tha Trump gazetarit të CNN-së, Jake Tapper. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë”, shtoi Presidenti i SHBA.
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Álvarez, deklaroi se Spanja nuk do të lejojë përdorimin e bazave të saj ushtarake për sulme ndaj Iranit, duke theksuar se Madridi i ka dënuar veprimet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Teheranit. Bazat ushtarake në territorin spanjoll ndahen mes Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës, por mbeten nën sovranitetin e plotë të këtij të fundit. Sipas Álvarez, “bazat spanjolle nuk po përdoren për këtë operacion dhe nuk do të përdoren për asgjë që nuk përfshihet në një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara ose që nuk është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
16:39 Si u organizua vrasja e Ali Khameneit, operacioni 60-sekondësh që tronditi Lindjen e Mesme
Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, konsiderohet pika kulmore ndër dekada e mbledhjes së informacioneve së inteligjencës nga shërbimet sekrete izraelite, për liderin iranian, me mbështetje të shtuar teknologjike dhe informative nga Central Intelligence Agency dhe agjenci të tjera amerikane gjatë gjashtë muajve të fundit.
Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara Pete Hegseth e ka nisur konferencën e tij për shtyp në Pentagon duke thënë se për 47 vite regjimi iranian ka zhvilluar një luftë të egër dhe të njëanshme kundër Amerikës. Ai vuri në dukje se ata e bënë këtë përmes “gjakut të popullit tonë, makinave bomba në Bejrut, sulmeve me raketa ndaj anijeve tona, vrasjeve në ambasadat tona, bombave të vendosura në rrugë në Irak dhe Afganistan”.
Sirenat e alarmit ajror u dëgjuan për herë të parë pas dekadash në tokën qipriote, pas një sulmi të dyfishtë ajror ndaj bazës britanike në Akrotiri. Sipas informacioneve, objekti u tentua të goditej edhe nga mjete ajrore pa pilot, duke shkaktuar reagime të menjëhershme politike dhe ushtarake në Athinë.
16:17 ‘Evropa mbështet plotësisht veprimet e SHBA-së në Iran’, Rutte: NATO nuk do të përfshihet
Mark Rutte i tha BBC-së të hënën se Evropa ishte “absolutisht mbështetëse” e veprimeve të SHBA-së në Iran, duke theksuar se politika iraniane përbënte një “kërcënim” për kontinentin, Izraelin dhe rajonin përreth. Ai gjithashtu vuri në dukje se Evropa po “ndërmerrte vërtet veprime” pas operacioneve të fundit të fundjavës në Iran.
Mijëra fluturime janë anuluar ndërsa bota përballet me një nga krizat më të mëdha të udhëtimeve ajrore që nga pandemia Covid-19. Qindra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar, pasi qendrat kryesore ajrore në Lindjen e Mesme u mbyllën si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit SHBA–Izrael kundër Iranit.
16:13 Video në rrjetet sociale dhe telefonata surprizë, CNN: Si i tregoi Trump botës për Iranin
Presidenti Trump po vihet nën presion në rritje për t’i shpjeguar popullit amerikan fushatën e tij ushtarake në Iran. Deri më tani, presidenti nuk ka mbajtur një fjalim dhe as një konferencë për shtyp. Ai injoroi pyetjet e drejtuara nga gazetarët ndërsa udhëtonte nga Florida për në Uashington të dielën.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Emirateve, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku ka shprehur qëndrimin zyrtar të Tiranës për situatën e tensionuar në rajon. Kreu i qeverisë i cilësoi sulmet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së tyre, sipas mediave vendase.
15:01 Sulmi i koordinuar SHBA-Izrael, humb jetën gruaja e Khameneit disa ditë pasi u plagos
Gruaja e Ali Khameneit, Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh, ka humbur jetën disa ditë pas sulmit të koordinuar me SHBA dhe Izraelit. Khamenei, ish lideri Suprem i Iranit për dekada të tëra, u eliminua në fillim të operacionit izraelito-amerikan.
14:50 Nga SHBA në Pakistan, protesta masive kundër vrasjes së Khameneit, 25 të vdekur
Teksa në Iran e pjesë të tjera të botës, shumë e pritën me një ndjenjë lehtësimi lajmin e vrasjes së Ajatollahut Ali Khamenei dhe një sërë figurave të tjera të regjimit, nuk kanë munguar nga ana tjetër as protestat ndaj shënjestrimit të liderit shpirtëror të Republikës Islamike.
15 avionë amerikanë kanë lënë bazat ushtarake të Rota-s dhe Moron-it në jug të Spanjës që nga sulmet e fundjavës ndaj Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, tregojnë hartat nga faqja e ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 të hënën.
Donald Trump i tha The Telegraph se është shumë i zhgënjyer me Sir Keir Starmer, i cili refuzoi fillimisht që forcat amerikane të përdorin bazën Diego Garcia për operacione kundër Iranit. Në intervistën ekskluzive, presidenti amerikan tha se refuzimi fillestar i Kryeministrit për të lejuar forcat amerikane të përdorin bazën e Ishujve Chagos ishte një situatë që nuk kishte ndodhur “ndonjëherë më parë midis vendeve tona”.
Uashingtoni ka njoftuar se një tjetër ushtar amerikan ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmeve të Iranit. Ky është rasti i katërt që një ushtar amerikan humb jetën në përplasjet e fundit që përfshijnë sulmet e Iranit ndaj bazave dhe forcave amerikane dhe kundërofensivës së SHBA-së dhe Izraelit në Iran, konflikt që është përshkallëzuar ndjeshëm prej ditësh.
Izraeli njoftoi ekzekutimin e liderit të ri të Hezbollahut, Naim Qassem. Vrasja e tij u realizua 10 minuta pasi organizata njoftoi futjen në luftë përkrah Iranit. Sulmi ndodhi në Liban. Më herët IDF, njoftoi se shefi i Hezbollahut ishte nën shënjestër.
Pasojat në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të ndihen mes vazhdimit të sulmeve të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit këtë fundjavë. Çmimet globale të naftës dhe gazit kanë pësuar rritje, pohon BBC. Nafta Brent, që është dhe referenca për kuotimin e naftës, u rrit me 10%, duke arritur mbi 82 dollarë për fuçi mëngjesin e sotëm.
Pasojat në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të ndihen mes vazhdimit të sulmeve të Iranit, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit këtë fundjavë. Çmimet globale të naftës dhe gazit kanë pësuar rritje, pohon BBC. Nafta Brent, që është dhe referenca për kuptimin e naftës, u rrit me 10%, duke arritur mbi 82 dollarë për fuçi mëngjesin e sotëm.
13:17 Sulmi ndaj Qipros/ Greqia nis me urgjencë dy anije ushtarake dhe dy avionë F-16 në zonë
Pas dy sulmeve me dron në ishull, Greqia ka vendosur të aktivizojë planin e përbashkët të mbrojtjes me Qipron, me vendim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ministri i jashtëm grek ka lajmëruar se Greqia dërgon në Qipro dy anije ushtarake fregata “Kimon” dhe “Psara”, kjo e fundit e pajisur me sistemin anti-dron, si dhe dy avionë luftarakë F-16.
13:11 Iran, regjimi i paprekur nga vdekja e Khameneit? BBC: Pasardhësin e zgjedhin besnikët
Me vdekjen e Ali Khameneit, sipas kushtetutës së Iranit, zgjedhja e një udhëheqësi të ri suprem i takon Asamblesë së Ekspertëve – një organ klerikal prej 88 anëtarësh i zgjedhur me votë popullore me mandate tetëvjeçare.
12:59 Izraeli përdor armën e re kundër Iranit: Iron Beam shkatërron me nxehtësi në ajër
Pamje që kanë nisur të qarkullojnë në rrjetet sociale duket se tregojnë përdorimin operacional për herë të parë të sistemit të mbrojtjes ajrore me lazer nga ana e Izraelit, teksa Hezbollah iu bashkua luftës ne krah të Iranit dhe lëshoi raketa dhe dronë nga Libani.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë vendimin që për turistet e huaj që kanë arritur datën e checkout-it, por që nuk kanë mundësi të udhëtojnë për arsye të mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore, do të mundësojnë zgjatjen e qëndrimi në hotelet ku jeni akomoduar, deri në momentin kur të jetë i mundur udhëtimi jashtë vendit.
12:40 Garda Revolucionare e Iranit: Kemi goditur zyrën e Netanyahut dhe selinë e Forcave Ajrore izraelite
Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se sulmet e saj të fundit me raketa kanë pasur si objektiv zyrën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe selinë e komandantit të Forcave Ajrore të Izraelit.
12:31 Rrëzimi i tre avionëve luftarake amerikanë, SHBA: U qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit
Tre avionë luftarakë amerikanë janë rrëzuar aksidentalisht, ka njoftuar Komanda Qendrore e ShBA (CENTCOM). Sipas deklaratës zyrtare, avionët F-15 Strike Eagle u goditën gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit dje, në një moment kur hapësira ajrore ishte nën sulme aktive nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë.
Kjo fundjavë shënoi sulme ndaj shteteve në gjithë Lindjen e Mesme, pas goditjeve të SHBA-së dhe Izraelit në disa qytete të Iran, ku u vra udhëheqësi suprem i vendit, disa zyrtarë të lartë dhe mbi 150 vajza në një shkollë fillore.
12:17 Lufta me Iranin, Trump paralajmëron amerikanët: Do i shkojmë deri në fund, presim viktima të tjera
Donald Trump duket këtë radhë i bindur t’i shkojë deri në fund konfliktit me Iranin. Mes njoftimeve se Irani po refuzon negociatat me SHBA-në, ai paralajmëroi një hakmarrje të fuqishme. Presidenti amerikan e bëri të qartë se lufta kundër Republikës Islamike nuk do të ndalet derisa Shtetet e Bashkuara të arrijnë çdo objektiv strategjik.
Në një deklaratë të re, Forca Mbrojtëse e Izraelit (IDF) thotë se ka vrarë Sayed Yahya Hamidi, zv.ministrin iranian të inteligjencës për çështjet izraelite. Po ashtu, është vrarë Jalal Pour Hossein, kreu i divizionit të spiunazhit në ministrinë e inteligjencës, si dhe zyrtarë të tjerë të “regjimit”, thuhet në deklaratë. Deklarata nuk jep detaje se si, kur apo ku janë vrarë. Gjithashtu shton se selia e Ministrisë iraniane të Inteligjencës në Tehran u godit “pak kohë më parë”.
Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit arritën të eliminonin 48 liderë të Iranit brenda pak orësh. CNN ka zbërthyer përmes videove dhe imazheve satelitore se si sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vranë udhëheqësin suprem iranian, Ali Khamenei, dhe çmontuan strukturën komanduese të regjimit.
11:16 “Sulmet në Iran mund të zgjasin 4 javë”, Trump: E godita Khamenein para se të ma bënte ai mua
Donald Trump deklaroi të dielën mbrëma se ai e eliminoi Ajatollahun e Iranit, Ali Khamenein, “para se ai të më eliminonte mua”, ndërsa forcat izraelite godisnin objektiva në mbarë Iranin dhe shtonin sulmet në Libanin jugor. Trump komentoi mbi vrasjen e Khameneit pas një fushate ushtarake që goditi udhëheqjen më të lartë të Iranit dhe pas sulmeve hakmarrëse që lanë të vrarë tre ushtarakë amerikanë.
11:13 Tensionet në Lindjen e Mesme dhe vrasja e Khameneit, sulmohet Qendra Kulturore iraniane në Ekuador
Një sulm i dhunshëm ka ndodhur në Qendrën Kulturore Iraniane në Kito të Ekuadorit, ku një grup njerëzish me flamuj amerikanë, iranianë dhe izraelit sulmuan personat që ndodheshin në qendër.
10:53 “U shkelën ligjet ndërkombëtare”/ Bombardimet në Iran, nëntë spitale dëmtohen rëndë
Të paktën nëntë spitale janë dëmtuar rëndë në Iran gjatë bombardimeve që kanë hyrë në ditën e tretë, raportojnë mediat iraniane. Deputeti Mohammed Beigi deklaroi se sulmet kanë goditur objekte shëndetësore, duke i cilësuar ato si shkelje të hapur të ligjeve ndërkombëtare.
10:30 Shpërthim i ri pranë Dubait, turistët kalojnë natën e dytë të bllokuar në kroçere
Disa turistë kanë mbetur të bllokuar në një anije kroçere në portin e Dubait, ku po kalojnë natën e dytë në bord pas pezullimit të transferimit drejt Dohas, aeroportit nga ku do të niseshin për t’u kthyer në Itali. Bëhet fjalë për pasagjerët e anijes MSC Euribia, e cila mbeti e ankoruar në Dubai për shkak të nisjes së konfliktit dhe mbylljes së hapësirës ajrore.
10:24 “Jeta vazhdon”, banorët e Tel Avivit flasin për Top Channel: Irani do të mundet
Të gjetur nën sulmin e raketave iraniane, banorët e Tel Avivit shmangin të dalin jashtë nëse nuk e kanë një arsye serioze për ta bërë këtë. Ekipi i Top Channel në Izrael vizitoi një ndër zonat të cilat preferohen prej banorëve për shëtitje.
09:49 “Droni që goditi bazën britanike ishte iranian”, Presidenti i Qipros: Nuk kemi ndërmend të…
Një dron iranian ka goditur bazën ushtarake britanike në Qipron jugore, duke shkaktuar dëme materiale. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, i cili bëri të ditur se menjëherë pas mesnatës një mjet ajror pa pilot i tipit “Shahed” u rrëzua brenda objekteve ushtarake britanike në Akrotiri.
SHBA-të kanë përdorur një pjesë të arsenalit të tyre më të avancuar ushtarak në sulmet ndaj Iranit, duke mobilizuar forcën më të madhe në Lindjen e Mesme në dekada. Pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-të ishin “të përgatitura dhe të ngarkuara”, Uashingtoni ndërmori sulme të drejtpërdrejta në bashkërendim me Izraelin.
09:16 Lufta në Lindjen e Mesme, nga Izraeli në Kuvajt, sa viktima janë shënuar deri më tani
Lufta SHBA-Izrael e cila nisi ndaj Iranit, po përshkallëzohet gjithnjë e më tej, teksa tensionet kanë hyrë në ditën e tretë. Dhjetëra persona kanë mbetur viktima të sulmeve, nga Irani deri në Kuvajt.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar nisjen e një fushate ofensive kundër Hezbollah në Liban, e cila sipas tyre pritet të zgjasë disa ditë. Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, deklaroi se Izraeli nuk do të mbetet më vetëm në pozicion mbrojtës, por po kalon në ofensivë.
08:40 Po qëndronin trupat e SHBA-së, tre dronë të armatosur rrëzohen mbi aeroportin e Erbilit në Irak
Tre dronë të armatosur janë rrëzuar mbi aeroportin e Erbil, në rajonin e Kurdistanit në Irakun verior, sipas Reuters, që citon burime të sigurisë. Në aeroport janë të stacionuara trupa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çka e bën zonën një pikë të ndjeshme në kontekstin e përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Re tymi janë parë duke u ngritur mbi Kuvajt, pas raportimeve për një sulm të mundshëm pranë ambasadës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë vend. Pamjet e fundit tregojnë shtëllunga tymi mbi zonën urbane, ndërsa Ambasada Amerikane në Kuvajt ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke u kërkuar të mos paraqiten në ambientet e saj dhe të strehohen në shtëpi deri në një njoftim të dytë.
08:00 Avioni luftarak mori flakë në ajër, rrëzohet pranë një baze amerikane në Kuvajt
Një avion luftarak është rrëzuar mbi Kuvajt pranë një baze ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Avioni mori flakë në ajër dhe ra drejt tokës me një rrotullim të ngadaltë, përpara se të zhdukej nga horizonti.
07:52 Qindra të vdekur si pasojë e sulmeve, Irani: Nuk do të negociojmë me SHBA-në
Irani ka deklaruar se nuk do të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes raportimeve për përpjekje për rifillim të dialogut mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Izrael u ka bërë thirrje banorëve të më shumë se 50 qyteteve dhe fshatrave në Liban që të evakuohen menjëherë, duke paralajmëruar për sulme të mundshme. Autoritetet izraelite kërkojnë që civilët të largohen të paktën 1.000 metra nga zonat e banuara dhe të zhvendosen në hapësira të hapura për sigurinë e tyre.
Top Channel