Trump nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Iran: Do të jenë atje nëse është e nevojshme
Mijëra fluturime janë anuluar ndërsa bota përballet me një nga krizat më të mëdha të udhëtimeve ajrore që nga pandemia Covid-19.
Qindra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar, pasi qendrat kryesore ajrore në Lindjen e Mesme u mbyllën si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit SHBA–Izrael kundër Iranit.
Autoritetet e aviacionit në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se do të lejojnë një numër të kufizuar “fluturimesh speciale” për të ndihmuar pasagjerët e bllokuar.
Sipas ‘The Guardian’, deri në orën 10:00 të mëngjesit ishin anuluar të paktën 1,555 fluturime drejt Lindjes së Mesme, megjithëse shifrat reale mund të jenë më të larta për shkak të mungesës së të dhënave nga Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Të shtunën u anuluan rreth 2,800 fluturime, ndërsa të dielën 3,156, sipas platformës së ndjekjes FlightAware.
Aeroportet kryesore të rajonit, përfshirë Dubain, qendra ndërkombëtare më e ngarkuar në botë, janë mbyllur për të tretën ditë radhazi.
Emirates ka pezulluar fluturimet nga dhe drejt Dubait deri të martën në mëngjes, Etihad Airways ka ndërprerë operacionet nga Abu Dhabi, kurse Qatar Airways ka pezulluar fluturimet për sa kohë që hapësira ajrore e Katarit mbetet e mbyllur.
Hapësira ajrore mbi Iranin, Irakun, Kuvajtin, Izraelin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin mbetet pothuajse e zbrazët, sipas të dhënave nga Flightradar24.
Ndërprerjet janë përhapur përtej Lindjes së Mesme, duke prekur pasagjerë nga Bali deri në Frankfurt. Air India anuloi fluturime nga Delhi, Mumbai dhe Amritsar drejt qyteteve të mëdha në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Në Qipro, easyJet anuloi disa fluturime pasi një dron goditi bazën RAF në Akrotiri, ndërsa British Airways anuloi shërbimin drejt Larnacës
Ekuipazhet dhe pilotët janë shpërndarë nëpër botë, duke e bërë më të vështirë rifillimin e operacioneve sapo hapësira ajrore të rihapet.
Tregjet financiare reaguan menjëherë. Aksionet e kompanisë së udhëtimeve TUI Group ranë me 9%, ndërsa ato të IAG, pronarit të British Airways, me 5%. Rënie u shënuan edhe për Lufthansa, Air France-KLM, Qantas dhe Singapore Airlines.
Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm, me naftën Brent që u ngjit me 13%, duke arritur në 80 dollarë për fuçi. Analistët paralajmërojnë se çmimi mund të shkojë deri në 100 dollarë për fuçi, duke rritur kostot për linjat ajrore në mbarë botën.
Ndërsa shumica e pasagjerëve presin informacione për fluturimet e tyre, klientët me mundësi financiare të larta po përdorin avionë privatë për t’u larguar nga rajoni. Sipas kompanive të ndërmjetësimit, fluturimet private nga Riadi drejt Evropës mund të kushtojnë deri në 350,000 dollarë.
Top Channel