Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, partitë nuk kanë gjetur një kandidat konsensual.
Megjithatë, pas takimeve të së hënës, fillimisht me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i gatshëm të japë nga 30 nënshkrime për dy kandidatë.
I pyetur pse nuk e kandidon Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër, Kurti tha se duhen më shumë se 80 deputetë në sallë për t’u evituar zgjedhjet.
“Ne duhet t’i kemi 80 veta të cilët duhet të qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë që nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut evitimin e zgjedhjeve”, u shpreh Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit tha se partia që ai drejton nuk do propozojë kandidatë për të parin e shtetit, derisa shtoi se mungesa e një emri konsensual nënkupton shkuarje në zgjedhje.
Sa i përket kandidaturës së mundshme të presidentes aktuale, Vjosa Osmanit, kreu i LDK-së tha se nuk ka qëndrime refuzuese ndaj saj.
“Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, aq më pak ndaj zonjës Osmani”, u shpreh Abdixhiku.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që presidenti të zgjidhet nga propozimi i tyre, e Albin Kurti ka propozuar që secila parti të nxjerrë kandidatët e vetë.
Presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet më së largu më pesë mars, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Top Channel