“E njihnim Teheranin si Jerusalemin, kamerat e trafikut ishin hakeruar prej vitesh”, si e organizoi Mossadi operacionin për të vrarë Khamenein
Një shtetas nga Gjeorgjia është ndaluar nga autoritetet greke, pasi dyshohet për veprimtari të mundshme spiunazhi në zonën e bazës ushtarake të Sudës, në Hania të Kretës.
Korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku, raporton se sipas informacioneve, ai kishte mbërritur fillimisht në Athinë dhe më pas kishte udhëtuar drejt Haniasë si turist.
Atje u vu nën vëzhgim, pasi lëvizte në mënyrë të dyshimtë pranë portit të Sudës dhe, sipas burimeve të sigurisë, fotografonte anije luftarake. Pas kthimit të tij në Athinë, ai u ndalua dhe aktualisht mbahet në një rajon policor të Atikës.
Autoritetet po hetojnë nëse ai është rekrutuar nga shërbime të huaja për të mbledhur informacione, ndërsa një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me veprimtari të mundshme në favor të Iranit. Në telefonin celular deri tani janë gjetur fotografi të aeroplanmbajtëses amerikane.
Rasti konsiderohet veçanërisht serioz dhe është rezultat i një hetimi të vazhdueshëm të Shërbimit Informativ Kombëtar grek (EYP), i cili prej kohësh kishte informacion për aktivitet të dyshimtë në këtë zonë. Sipas burimeve, nga hetimet paraprake kanë dalë elemente që forcojnë dyshimet për veprimtari spiunazhi.
Bëhet fjalë për një 36-vjeçar nga Gjeorgjia, me origjinë azere, i cili kishte qenë kohët e fundit nën vëzhgimin e Shërbimit Informativ Kombëtar. Sipas informacioneve, 36-vjeçari kishte qenë nën vëzhgimin e autoriteteve që nga 3 shkurti, kur kishte marrë me qira një dhomë hoteli me pamje nga gjiri i Sudës.
Nga hetimet kanë dalë elemente që forcojnë vlerësimin e shërbimeve të sigurisë se personi në fjalë kishte zhvilluar aktivitet spiunazhi. Sipas informacioneve, ai bënte shëtitje në port dhe fotografonte me telefonin e tij celular, por edhe me aparat fotografik, anije luftarake. Madje, më 16 shkurt ai tentoi të ndryshonte hotel dhe të zhvendosej më afër bazës amerikane.
Ngjarja kujton një rast të mëparshëm në të njëjtën zonë, kur një shtetas tjetër i huaj nga Azerbajxhani ishte arrestuar për fotografimin e instalimeve dhe anijeve ushtarake.
Baza e Sudës konsiderohet një nga instalimet më strategjike ushtarake në Mesdhe, pasi përdoret nga forcat detare dhe ajrore të Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara për operacione, furnizim dhe mbështetje logjistike. Vetëm pak ditë më parë, nga gjiri i Sudës u largua drejt Izraelit aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford, e cila kishte qëndruar në zonë në kuadër të operacioneve në Mesdheun Lindor.
Top Channel