Sulmi ndaj ish-vilës së diktatorit Hoxha/ Çfarë ka mbetur një ditë pas hedhjes së molotovëve, anulohen aktivitetet artistike

01/03/2026 13:40

Muret e nxira, xhama të thyer, mobilje të djegura dhe hiri i mbetur në tokë janë pamjet e dukshme në vilën e diktatorit Enver Hoxha, një ditë pas protestës së demokratëve.

Ku nuk mungon edhe kureshtja e kalimtarëve. Godina ku jetonte udhëheqësi komunist ishte kthyer në një qendër kulturore të quajtur ArtExplora, por revolta e mbrëmjes së së shtunës ka pezulluar aktivitetet artistike.

Vila në flakë përfshiu në një lum reagimesh si qeverinë edhe opozitën. Shishet me benzinë të hedhura pa reshtur në drejtim të godinës, shoqëruar me fishekzjarrë, i vunë zjarrin vilës, duke pretenduar se brenda tij ndodhej kryeministri Edi Rama.

“Ca njerëz me kostume të murrme, me uniforma të agjentëve të policisë kriminale, i thonë protestuesve se këtu tani banon Edi Rama. Dhe ata iu kthyen. Pra, ato fishekzjarrë që u hodhën aty ishin kundër Edi Ramës, urrejtje për Edi Ramën”, tha Berisha.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, kritikoi veprimin e PD-së, duke e cilësuar një opozitë të dëshpëruar që nuk ndalet para asgjëje, aq sa sulmon egërsisht një qëndër ndërkombëtare arti. Gonxhja zbuloi se në vilë jeton, larg izolimit ideologjik, një komunitet artistik, dhe dhjetëra prej tyre ishin brenda gjatë lëshimit të bombave molotov.

“12 artistë, shumica të huaj, e mes tyre edhe të rinj që vijnë nga vende me fronte lufte dhe që kanë përjetuar trauma, pikërisht sepse programi ka edhe natyrë sociale e solidare, ndodheshin aty. Për fat, pa pasoja, ndërsa po informojmë dhe qetësojmë familjet. Një komunitet artistik që jeton e punon në atë objekt për të materializuar lirinë u terrorizua sot nga antiliria!”, tha Blendi Gonxhja.

E teksa Sali Berisha e vlerëson një akt heroik protestën e 28 shkurtit, qeveria e konsideron një agresion ndaj imazhit të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB