Një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dabit, pas sulmeve të Iranit në Lindjen e Mesme, si hakmarrje ndaj një ofensive të SHBA-së dhe Izraelit që nisi të shtunën mëngjes.
Autoritetet e Abu Dabit thanë se një dron i drejtuar ndaj Aeroportit Ndërkombëtar Zayed u shmang, por mbetjet e saj shkaktuan vdekjen e një personi dhe plagosjen e shtatë të tjerëve.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, një incident plagosi katër punonjës dhe shkaktoi dëme materiale. Dhjetëra fluturime janë pezulluar, duke shkaktuar ndërprerje të madhe në transportin ajror global.
Sulmet iraniane vazhduan të dielën, me përdorimin e raketave balistike dhe dronëve ndaj aleatëve amerikanë në Gjirin Persik. Shpërthime u raportuan në Doha, Dubai dhe Manama, ndërsa Katar, Bahrein, Jordani dhe Kuvajti njoftuan interceptimin e raketave, por mbetjet shkaktuan dëme të shumta.
Në Bahrein, aeroporti u dëmtua pas sulmit me dronë, ndërsa Forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit konfirmuan sulmin ndaj selisë së Flotës së Pestë të Marinës amerikane në Manama. Agjencia shtetërore e Omanit raportoi se porti tregtar Duqm u godit nga dy dronë, duke plagosur një punonjës.
Ky përshkallëzim i tensioneve rajonale ka shkaktuar ndërprerje serioze të trafikut ajror.
Top Channel