Opinioni publik botëror, edhe ai i Tiranës, u zgjuan ditën e djeshme me skenat e një lufte që sapo kishte nisur në Lindjen e Mesme, ku SHBA-ja dhe Izraeli vendosën të sulmonin regjimin diktatorial të Iranit.

Pak orë më vonë, këtë herë vetëm qytetarët e Tiranës, u detyruan të shikonin disa skena të tjera lufte, këtë herë jo në Iran, por pak metra larg shtëpive të tyre.

Nuk ishte ndonjë ushtri e huaj që kishte vendosur të sulmonte, por disa militantë partiakë të cilët i vunë zjarrin vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, u përplasën me policinë dhe e kthyen vendin tonë në faqet e para të mediave ndërkombëtare. Këtë herë për keq.

Sigurisht, Shqipëria nuk është në luftë dhe nuk ka raketa mbi qiellin tonë.

Në një demokraci funksionale, protesta është instrument presioni, jo instrument frike. Kur në skenë hyjnë molotovë, fishekzjarrë të drejtuara ndaj institucioneve dhe thirrje për përplasje, protesta humbet legjitimitetin moral dhe kthehet në rrezik publik.

Kur shikon qytete që shkatërrohen nga konflikte reale dhe më pas kthen sytë tek një protestë që përfundon me molotovë në zemër të një kryeqyteti europian, pyetja bëhet e pashmangshme: çfarë po bëjmë me sensin e masës?

Prej vitesh tashmë është bërë thuajse e përditshme që politika shqiptare të operojë me gjuhë lufte. Për tjetrin, çdo kundërshtar është “armik”. Çdo përballje është “betejë finale”. Çdo krizë është “fund i demokracisë”. Por kur retorika e luftës përdoret çdo ditë, ajo fillon të prodhojë sjellje lufte.

Dhe kjo është përgjegjësi politike.

Opozita ka të gjithë të drejtën e saj të protestojë. Por nëse protesta, e trumbetuar në krye të herës si paqësore, degjeneron në molotov, zjarrëvënie, plagosje të efektivëve të policisë, fatmirësisht pa viktima, është pikërisht ajo, elita e saj drejtuese, që duhet të reflektojë e të ndryshojë mënyrën se si e jep mesazhin dhe se si do të duket para publikut si një alternativë qeverisëse nesër.

Në një botë ku konfliktet reale po marrin jetë njerëzish, të përdorësh simbolikën e luftës për betejë të brendshme politike është jo vetëm disproporcionale, por e papjekur.

Shqipëria nuk ka nevojë për revolucion retorik. Ka nevojë për standard. Ka nevojë për opozitë që di të kanalizojë zemërimin në projekt konkret. Ka nevojë për drejtues që kuptojnë se forca politike nuk matet nga sa shumë tension krijon, por nga sa shumë stabilitet mund të garantojë kur vjen në pushtet.

Shumë popuj në botë sot luten të kenë paqe, ne zgjedhim t’i vëmë zjarrin paqes për qëllime politike.

Forcat politike duhet të kuptojnë se çdo akt i pakontrolluar sot, mund të prodhojë pasoja të pakontrollueshme nesër. Këto 36 vite demokraci na kanë mësuar se përshkallëzimi i situatës është i lehtë, rikthimi në stabilitet kërkon vite të ndodhë.

Në demokraci përkufizimet janë të qarta, opozita ka të drejtë të protestojë, Qeveria ka detyrimin të dëgjojë. Por askush nuk ka të drejtë të vërë në rrezik jetën e qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB