Operacioni i SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Trump: Do të zgjasë të paktën 4 javë
Fundjava nisi normalisht në Dubai, me plazhet dhe klubet e plazhit plot. Por në perëndim të diellit, disa raketa dhe dronë iranianë goditën zonën e Gjirit, duke shkaktuar panik tek turistët.
Turistët në hotele me pesë yje, fillimisht menduan se ishin fishekzjarrë, por shpejt u kuptua se bëhej fjalë për një sulm ajror. Disa turistë u detyruan të strehoheshin në parkingje nëntokësore dhe korridore shërbimesh.
“Në fillim menduam se ishin fishekzjarrë. Brenda pak minutash rrugët u pastruan, por paniku ishte i madh,” tha Natalia Veremeenko, turiste nga Rusia.
Sipas autoriteteve lokale, një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën nga mbetjet e dronëve dhe raketave. Porti i Jebel Ali dhe disa monumente, përfshirë Burj Al Arab, u goditën nga mbetjet e dronëve, duke shkaktuar zjarr.
Mbetet e paqartë nëse sulmet synonin objektiva ushtarake apo zona civile dhe turistike. Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe thanë se shumica e raketave dhe dronëve u neutralizuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Autoritetet morën masa për të qetësuar vizitorët dhe shumë hotele ofruan rimbursime për fluturimet e ndërprera.
Ndërkohë, shtetasit e huaj në Dubai shprehën besim se qyteti mbetet i sigurt: “Dubai është ende qyteti më i mirë në botë,” shkroi një australian në Instagram.
Megjithatë, me mijëra dronë ende të mundshëm në arsenalin iranian, shqetësimi mbetet. Aeroportet vazhdojnë të jenë të mbyllura, duke lënë shumë turistë të bllokuar pa një afat të qartë rifillimi të fluturimeve.
Pati dhe turistë që nuk u trembën dhe vazhduan aktivitetet e përditshme.
Top Channel