Bllokohen 1 ton mjaltë në Kapshticë, mungonte dokumentacioni i sigurisë ushqimore Janari konsiderohet si një nga muajt më të vështirë për buxhetet familjare, mes faturave të larta dhe shpenzimeve të mbartura nga fundviti, por qytetarët shqiptarë këtë fillimvit zgjodhën të kursejnë më shumë, sidomos në monedhën vendase.
Të dhënat tregojnë se kursimet në banka në lekë shënuan rritje të fortë në janar, duke arritur në 737 miliardë lekë, një rritje me 13% me bazë vjetore.
Pas shpenzimeve të shumta në fundvit, qytetarët depozituan pak para për të kursyer në llogaritë e tyre bankare, por bizneset, të cilat duket se kanë fituar më shumë nga periudha festive, rritën ndjeshëm kursimet e tyre me rreth 10% në fillim të janarit. Pas tyre, edhe korporatat zgjeruan kursimet e tyre me 36%.
Qytetarët po kursejnë më shumë në lekë sesa në valutat e tjera, ndërsa stoku total sipas Bankës së Shqipërisë ka arritur një vlerë prej 1.5 trilionë lekë.
“Një nga shkaqet për këtë rritje është ndryshueshmëria e kursit valutor. Duke qenë se është vënë re një forcim i lekut kundrejt euros, bizneset dhe individët kanë menduar se ky stabilitet mund të përkthehet në një rritje kursimesh në monedhën vendase”, tha pedagogia Besarta Tafa.
Jo vetëm kursyen, qytetarët dhe bizneset iu drejtuan bankave edhe për të marrë hua. Kredia e re për ekonominë në muajin janar arriti në 28.3 miliardë lekë, një rënie me 11% krahasuar me një vit më parë.
Pasi arriti nivelet më të larta historike për periudhën vitin e kaluar, kredia ka pësuar një frenim në muajin e parë të vitit 2026. Rënia u përcaktua kryesisht nga segmenti i individëve, si dhe interesi më i ulët për hua në euro, ndërsa bizneset vijuan me të njëjtën ecuri si janari 2025.
“Së pari ka të bëjë me politika që u ndërmorën në mesin e vitit 2025 për një kufizim të kredimarrjes, sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme, por edhe një zvogëlim të raportit të të ardhurave dhe shpenzimeve”, tha pedagogia Besarta Tafa.
Ngadalësimi i kreditimit në nisje të vitit sinjalizon një qasje më të kujdesshme si nga bankat, ashtu edhe nga huamarrësit. Megjithatë, me norma interesi më të stabilizuara dhe kërkesë që pritet të rritet në muajt në vijim, mbetet për t’u parë nëse ky frenim i janarit është thjesht sezonal.
Top Channel