“Aktet e dhunës rrezikuan jetë njerëzish”, Delegacioni i BE reagon pas protestës së opozitës: E drejta për tubim shtyllë themelore, por tregoni vetëpërmbajtje

01/03/2026 17:13

Incidentet, përdorimi i molotovëve dhe rrezikimi i jetës së qytetarëve gjatë protestës së 5 kombëtare të opozitës kanë shqetësuar Bashkimit Europian.

Pak orë nga kjo protestë e mbajtur gjatë të shtunës në kryeqytet, përmes zyrës së delegacionit të BE në Tiranë u është bërë thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje.

“Ne e mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, nënvizohet në këtë deklaratë.

Duke kujtuar rëndësinë e reagimit, Delegacioni i Be thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike, por sipas delegacionit ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.

Më tej delegacioni shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë të cilat rrezikuan jetë njerëzish. Për aktet e dhunshme të së shtunës policia ka arrestuar katër protestues të dyshuar për goditje për shkak të detyrës,  prishje e qetësisë publike, shkelje e rregullave me lëndët plasëse dhe shkatërrim i pronës me zjarr.

Një nga objektet e dëmtuara siç raporton zyrtarisht policia është edhe hedhja e lëndëve në drejtim të ish-vilës 31 gjatë kohës kur brenda saj kishte shtetas të huaj të cilët u rrezikuan.

Policia shprehet në qëndrimin publik se nga veprimet hetimore të kryera dyshohet gjithashtu se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë

Reagimi:

Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.

Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish.

Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB