Transformohet sheshi “Nënë Tereza”/ Muze arkeologjik dhe parkim nëntokësor, projekt i ri për qendrën

28/02/2026 12:35

Nga një hapësirë librarie për të rinjtë, me aktivitete kulturore dhe evente publike, pamja e Sheshit “Nënë Tereza” pritet të ndryshojë sërish.

Me vendimin e saj më të fundit, qeveria ka ngarkuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për realizimin e projektit “Ndërtimi i muzeut arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit ‘Nënë Tereza”.

Tashmë në këtë shesh do të ketë edhe një parkim nëntokësor, por përveç kësaj edhe një muze arkeologjik duke u shtuar kështu listës së muzeve në Tiranë.

Kjo është hera e radhës që sheshi një nga hapësirat më simbolike të kryeqytetit, i nënshtrohet transformimit. Ndërhyrja e plotë dhe strukturore është realziuar në vitet 2013-2014 kur sheshi u riformatua përpara vizitës së Papa Franceskut me heqjen e shatërvanit dhe rregullimit të fasadave përreth. Ndërsa ndër vite janë zhvilluar tendera për instalacione artistike dhe evente.

Vetëm në vitin 2025, një projekt artistik në qendër të sheshit u prokurua me një fond rreth 390 mijë euro e titulluar si Tirana Moons.

Tashmë me ndërtimin e një muzeu dhe parkimi nëntokësor, sheshi pritet të hyjë në një tjetër fazë transformimi nga një hapësirë e hapur eventesh dhe grumbullimesh publike edhe në një kompleks me funksione të reja kulturore dhe infrastrukturore.

Sipas vendimit në fjalë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Tiranë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.

Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ndërsa ky vendim pritet të hyjë në fuqi dhe të zbatohet pas botimit në fletoren zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB