Presidenti serb Aleksandar Vuçiç: Sulmi ndaj Iranit si bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në 1999
Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit janë përshkallëzuar, me shumë viktima dhe të plagosur në të gjithë vendin.
Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, dy figura të larta ushtarake iraniane – ministri i Mbrojtjes Amir Nasirzadeh dhe komandanti i Gardës Revolucionare Mohammed Pakpour – mund të jenë vrarë gjatë sulmeve.
Në të njëjtën kohë, mbeten të paqarta raportimet mbi gjendjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, mes spekulimeve për plagosje apo edhe eliminim të mundshëm. Burime të tjera bëjnë me dije se edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian mendohet se është eliminuar, megjithëse as këto nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, në një deklaratë për NBC, pranoi se mund të ketë pasur humbje në nivele komanduese, por minimizoi ndikimin e tyre.
Sipas raportimeve, operacioni i koduar “Epic Fury” nisi në orët e para të mëngjesit, me objektiv struktura kyçe në kryeqytetin Teheran. Imazhe satelitore pretendohet se tregojnë dëme të konsiderueshme në ndërtesa të lidhura me zyrën e Khameneit, si dhe në kompleksin presidencial.
Në një fjalim publik, Trump deklaroi se qëllimi i operacionit është “eliminimi i kërcënimeve të menjëhershme ndaj SHBA-së” dhe paralajmëroi Iranin për pasoja të mëtejshme nëse nuk tërhiqet nga programet e tij ushtarake.
Brenda pak orësh nga nisja e sulmeve, Irani reagoi me lëshim raketash drejt disa objektivave në rajon. Shpërthime u raportuan pranë Marinës së Dubai, ndërsa për herë të parë u konfirmua goditja e territorit të Emiratet e Bashkuara Arabe. Një viktimë u raportua në Abu Dhabi, pranë aeroportit ndërkombëtar.
Gjithashtu, katër baza amerikane në rajon thuhet se janë vënë në shënjestër. Sirena alarmi dhe interceptime raketash u raportuan edhe në Jerusalem, ndërsa tensionet u rritën në të gjithë Izrael.
Situata mbetet shumë e paqëndrueshme, me raportime të pakonfirmuara dhe deklarata të forta nga të dyja palët.
Top Channel