“Trego ose vdis”/ Ushtari izraelit rrëfen torturat e tij nga Hamasi: Më dogjën dorën dhe bërtita nga dhimbja, por…

27/02/2026 07:47

Ushtari izraelit Matan Angrest, i cili shërbente në një njësi të specializuar tankesh me pajisje sekrete nën Brigadën e 7-të të Blinduar pranë Nahal Oz, ka rrëfyer për torturat që thotë se përjetoi pasi u mor peng gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamas.

Angrest ishte i vetmi anëtar i ekuipazhit të tankut që i mbijetoi sulmit. Sipas raportimeve, kolegët e tij, kapiteni Daniel Perez, ushtari Itai Chen dhe rreshteri Tomer Leibovitz, u vranë dhe trupat e tyre u dërguan në Rripin e Gazës.

“U zgjova në Gaza, në një shtëpi, dhe nuk munda të hapja sytë ose të lëvizja dorën. Dora ime ishte djegur”, tregon ushtari.

“Hapja sytë dhe kishte tetë persona të ulur përballë meje. Filluan të më pyesnin ‘nga u rrëmbeve? Ku shërben?’, por flisnin arabisht dhe nuk i kuptoja”, tregon ai.

Sipas dëshmisë së tij, torturat nisën gjatë marrjes në pyetje.

“Dikush erdhi me dy tela dhe i futi në plagët e mia. Bërtita nga dhimbja dhe ai e bëri përsëri”, rrëfeu ushtari.

“Gjatë marrjes në pyetje shumë të ashpra, vazhdonin të më pyesnin nëse shoferi mund të qëllonte, çfarë armësh kishte tanku. Unë u thosha se shoferi është si çdo shofer tjetër. Më torturuan sa mundën. Goditjet elektrike janë një traumë që do të mbetet me mua përgjithmonë”, tha ai.

“Më detyruan të zbuloja gjëra të kategorisë trego ose vdis”, shtoi Angrest.

Angrest përshkroi edhe momentin kur mësoi se tre shokët e tij të ekuipazhit ishin vrarë më 7 tetor.

“U mbylla në një dhomë vetëm. Atëherë e kupton se gjithçka ka mbaruar. Mendoja vetëm për ta dhe për gjithçka që kishim përjetuar së bashku”, tha ai.

Autoritetet izraelite e kanë cilësuar sulmin e 7 tetorit si një nga më të rëndët në historinë e vendit, ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hamasit vijon të ketë pasoja të rënda humanitare dhe ushtarake në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB