Punë në të zezë, paga nën 40 mijë lekë, sigurime të paguara, kontrata të parregullta dhe mungesë sigurie.
Në 2025 me qindra biznese janë kapur në shkelje në të gjithë vendin duke vazhduar të operojnë në informalitet. Pavarësisht thirrjeve nga institucionet përgjegjëse si dhe fushatave të ndërmarra në 2025 janë inspektuar 9 mijë e 532 subjekte në rang vendi. Si rezultat, janë pezulluar 1,269 aktivitete, janë paralajmëruar 4,191 biznese, ndërsa janë gjobitur 268 për shkelje të ndryshme.
Inspektorati Shtetëror i Punës bën të ditur se nga gjobiti 268 biznese që u gjobitën vitin e shkuar, 98% e atyre që u gjetën duke punuar në të zezë janë formalizuar, ndërsa 2,538 punonjës të rinj janë deklaruar në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Kontrollet e shtuara vazhduan dhe në muajin janar të këtij viti ndërsa inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Punës kontrolluan mbi 12 mijë vende pune dhe inspektuan 667 biznese në vend. Në 445 raste u gjetën shkelje dhe u morën masa, nga paralajmërime deri te gjoba.
Por ajo që vihet re më së shumti se të paktë janë punonjësit që ankohen për të kërkuar të drejtat e tyre në punë duke filluar nga deklarimi dhe më pas siguria në punë. Vetëm 90 ankesa janë regjistruar këtë fillim vit nga punonjës dhe qytetarë të cilët i druhen largimit nga vendi i punës apo penalizimet e punëdhënësve nëse ankohen më tej.
Për bizneset e gjobitura në 2025 shumica morën masa sipas Inspektoratit për të zbatuar rregullat duke përfshirë më shumë siguri për punëmarrësit paga të deklaruara, sigurime shoqërore dhe shëndetësore, si dhe mbrojtje ligjore në vendin e punës.
Ky formalizim përveç respektimit të të drejtave të punonjësit, ka sjellë edhe më shumë të ardhura për shtetin. Çdo muaj, nga deklarimi i këtyre punonjësve, në arkën e sigurimeve shtohen rreth 283 milionë lekë më shumë kontribute.
Inspektorati thekson se kontrollet kanë vijuar në terren me fokus te sektorët me risk më të lartë informaliteti, me synimin për të reduktuar punën e padeklaruar dhe për të forcuar respektimin e ligjit.
Top Channel