Drita i tha lamtumirë Conference League, Ramadani: Treguam se jo rastësisht erdhëm deri këtu…
Drita e Gjilanit humbi edhe në ndeshjen e dytë ndaj Celjes, edhe kjo me rezultatin 3-2, por gjithsesi largohet me kokën lart nga kompeticionin duke parë edhe rrugëtimin e saj në këtë sezon.
Celje priti vetëm 19 minuta lojë për të marrë avantazhin në këtë ndeshje teksa shënoi me Seslar pas një asistit të Kucys.
Një goditje kjo që ishte e rëndë për kampionët e Kosovës që vetëm 4 minuta më vonë pësuan edhe golin e dytë pasi skuadra sllovene shënoi me Hrka duke e çuar rezultatin në 2-0 për t’ia vështirësuar akoma më shumë misionin Dritës.
Shumë shpejt skuadra gjilanase arriti të shkurtojë diferëncën në 2-1 me golin e Krasniqit për të ngjallur shpresat për një përmbysje të mundshme, shpresa që morën goditje tjetër, në minutën e 43’ kur Seslar nga pika e bardhë e penalltisë shënoi golin që e çoi rezultatin 3-1 për Celjen, rezultat që mbylli edhe pjesën e parë.
Por në fillimin e pjesës së dytë, Drita gjeti sërish rrugën e rrjetës teksa me golin e Dabiqaj e çon rezultatin në 3-2, por nuk mundi të bëjë dot më shumë dhe sfida u mbyll me fitoren 3-2 të Celjes që kalon në 1/8 e finaleve.
Kështu Drita mbyll rrugëtimin e saj historik në Europë, ku del nga Conference League me kokën lart.
REZULTATI:
Celje 3-2 Drita
Seslar 19’, (P) 43’, Hrka 23’ / Krasniqi 26’, Dabiqaj 51’
Top Channel