Kryeministrja e Danimarkës njofton zgjedhje të parakohshme, a do arrijë ta mbajë karrigen Mette Frederiksen mes tensioneve me Trump për Groenlandën?
Forcat ruse i kanë sulmuar disa rajone të Ukrainës me dronë dhe raketa, në prag të bisedimeve të planifikuara mes ekipeve ukrainase dhe amerikane në Gjenevë të Zvicrës më 26 shkurt.
“Dhjetëra persona janë plagosur si rezultat i këtij sulmi, përfshirë edhe fëmijë”, shkroi në rrjetet sociale presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, disa orë para nisjes së pritshme të bisedimeve.
Ndërtesa banimi u përfshinë nga zjarri si pasojë e sulmeve, sipas videove të shpërndara nga shërbimet e emergjencës.
Zelensky tha se Rusia lëshoi 420 dronë dhe 39 raketa, duke goditur gjithashtu infrastrukturën e gazit dhe nënstacionet e rrymës.
Sulmet gjatë natës ndodhën disa orë para takimeve në Gjenevë, të cilat pritet të përqendrohen në një “paketë prosperiteti” të projektuar për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, sipas zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë.
Këto bisedime shihen edhe si bazament i mundshëm për një samit të mundshëm trepalësh me Rusinë, sipas tyre.
Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, pritet të takohet me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe Jared Kushnerin, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.
Para bisedimeve, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio – i cili nuk po merr pjesë – tha se vetëm Uashingtoni mund të udhëheqë negociatat për t’i dhënë fund luftës.
“Kombet e Bashkuara nuk do ta bëjnë. Franca nuk do ta bëjë. BE-ja nuk do ta bëjë. Rusët as që do të flasin me ta. Prandaj ne nuk duam të tërhiqemi, e dimë që, në fund, lufta në Ukrainë nuk zgjidhet ushtarakisht”, tha ai.
“Nëse ne heqim dorë nga ky rol, askush tjetër nuk mund ta bëjë”, shtoi ai.
Trump dhe Zelensky zhvilluan një bisedë telefonike më 25 shkurt. Në një postim në rrjetet sociale pas telefonatës, Zelensky theksoi se të dërguarit e Trumpit morën pjesë në diskutim, i cili u përqendrua kryesisht në agjendën e rundeve të ardhshme diplomatike.
“Ne presim që ky takim të krijojë një mundësi për t’i çuar bisedimet në nivelin e liderëve”, shkroi Zelensky, duke shtuar se Trump “e mbështet këtë sekuencë hapash”.
Ai e përshkroi një samit të drejtpërdrejtë mes liderëve si “e vetmja mënyrë për të zgjidhur të gjitha çështjet komplekse dhe të ndjeshme dhe për t’i dhënë përfundimisht fund luftës”.
Takimi në Gjenevë po mbahet dy ditë pasi në mbarë Ukrainën u mbajtën ceremoni përkujtimore për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë nga Rusia dhe pason bisedimet trepalëshe Rusi–Ukrainë–SHBA më 17 dhe 18 shkurt.
Pak informacione thelbësore kanë dalë nga takimet e mëparshme, përtej përshkrimeve të paqarta se ato kanë qenë “të vështira” në disa fusha, ndërsa kanë arritur “përparim” në të tjera.
Pas katër vjetëve lufte të plotë, vlerësimet për numrin e përgjithshëm të viktimave ndryshojnë. Megjithatë, një raport i fundit e vendos numrin e të vrarëve, të plagosurve dhe të zhdukurve në 1.2 milion rusë dhe 500.000–600.000 ukrainas.
Banka Botërore tha më 23 shkurt se rindërtimi i ekonomisë ukrainase do të kushtonte rreth 588 miliardë dollarë gjatë një dekade./REL
Top Channel