I përfshirë në dosjen Epstein, Komisioni Evropian kërkon hetime për ish-ambasadorin britanik në SHBA

26/02/2026 19:32

Komisioni Evropian i ka kërkuar Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit të hetojë shkeljet e mundshme të rregullave nga Peter Mandelson, pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me Jeffrey Epstein. 

Mandelson, 72 vjeç, ishte Komisioner i BE-së nga viti 2004 deri në 2008. Sipas raportimeve, Brukseli dëshiron të dijë nëse ai ka shkelur kodin e sjelljes të zyrtarëve të Komisionit, si gjatë detyrës ashtu edhe pas largimit nga pozicioni, duke përfshirë respektimin e konfidencialitetit dhe pranimin e dhuratave ose favorizimeve.

Figura kryesore e politikës britanike dhe ish-ambasador në Uashington u përfshi në polemika pas publikimit të dokumenteve që hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij me Epstein. Ai u arrestua disa ditë më parë nga policia britanike, por është liruar me kusht.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit konfirmoi se ka marrë kërkesën më 18 shkurt dhe po e shqyrton atë, pa nënkuptuar domosdoshmërisht nisjen e një hetimi formal për Mandelson.

Në Britani, qeveria ka rënë dakord me policinë mbi një kornizë që parashikon publikimin e dokumenteve që lidhen me emërimin e Mandelson në vitin 2024 si ambasador në SHBA. Komiteti i Inteligjencës dhe Sigurisë tha se materiali po mblidhet aktualisht nga Zyra e Kabinetit dhe pritet që disa dokumente të bëhen publike së shpejti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB