Gazetari zbulon mesazhin e Ramës për Ballukun para ndryshimeve në Qeveri: Doni apo nuk doni ju, është e vështirë të…

26/02/2026 21:28

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, që ka ndjekur që prej orës 10:00 mbledhjen e grupit parlamentar të PS, dha detaje në “Top Story” lidhur me ndryshimet në qeveri që u njoftuan pak më parë.

Në lidhje direkte, gazetari tha se pak momente para se Rama të lexonte emrat me ndryshime në qeveri, mësohet se ka deklaruar: “Pavarësisht karakterit të saj të fortë, doni apo nuk doni ju, Belinda Balluku për punët e saj si ministre apo edhe angazhimet politike është e zorshme të zëvendësohet”.

“Do të thoja që Edi Rama bëri atë që di të bëjë më mirë, të surprizojë në momente deçizive. Kjo mbledhje ka nisur në orën 10:00, ku të gjithë ministrat kanë prezantuar projektet e tyre në vazhdim, por në mbrëmje Edi Rama ndryshoi 8 ministra. Enea Karakaçi merr postin në krye të Ministrisë së Energjitikës, teksa më parë ka mbajtur postin e administratorit të OSHEE. Zonja Balluku ka pasur dy kabinete, në Kryeministri dhe si ministre. Ermal Nufi, i emëruar si ministër i Mbrojtjes, është ish-sekretar i Përgjithshëm në kabinetin e Ballukut si zv.kryeministre. 

Ferit Hoxha, në qarqe të ngushta diplomatike, nuk e ka fshehur dëshirën për të qenë në krye të diplomacisë shqiptare dhe ajo ditë ishte sot.

Pak momente para se Edi Rama të lexonte emrat, një burim nga mbledhja më thotë se ka bërë një koment për Belinda Ballukun, përpara ministrave dhe grupit parlamentar, se: “Pavarësisht karakterit të saj të fortë, doni apo nuk doni ju, Belinda Balluku për punët e saj si ministre apo edhe angazhimet politike është e zorshme të zëvendësohet”.

Në korridoret e PS përflitej Ervin Demo dhe Delina Brahimi, por asnjërit prej tyre nuk i është besuar ky post që e mori Albana Koçiu.

Edi Rama e qartësoi pozicionin e tij në fjalën hapëse të kësaj mbledhjeje, ku tha se do të presë raportin që po harton Ulsi Manja dhe më pas e bëri të qartë se do të ketë një qëndrim në ditët në vazhdim.

Momenti kur Edi Rama ka njoftuar emrat ka qenë pa praninë e mediave, nuk kanë dalë foto apo pamje filmike. Sa i përket zonjës Spiropali, Rama dha një lloj paralajmërimi, ku ishte i pakënaqur për strukturën e Ministrisë së Jashtme” – u shpreh gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB