Festivali i Kanës me kryetar korean, Park Chan-eook kryeson jurinë, risi historike për festivalin ndërkombëtar të filmit

26/02/2026 14:30

Kryetar i jurisë së Festivalit të Kanës këtë vit do të jetë Park Chan-wook, i pari koreano-jugor që mban një pozicion të tillë.

Organizatorët e eventit prestigjioz të kinematografisë, tashmë në edicionin e tij të 79-të, e shpallën vendimin e tyre duke theksuar arsyet e përzgjedhjes së regjisorit të “Oldboy” dhe “No Other Choice”.

Kryetar i jurisë së Festivalit të Kanës këtë vit do të jetë Park Chan-wook, i pari koreano-jugor që mban një pozicion të tillë. Organizatorët e eventit prestigjioz të kinematografisë, tashmë në edicionin e tij të 79-të, e shpallën vendimin e tyre duke theksuar arsyet e përzgjedhjes së regjisorit të “Oldboy” dhe “No Other Choice”.

“Krijimtaria, mjeshtëria vizuale dhe prirja e Park Chan-ëook për të kapur impulset e shumta të grave dhe burrave me fate të çuditshme, i kanë dhuruar kinemasë bashkëkohore momente vërtet të paharrueshme”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga presidentja e festivalit Iris Knobloch dhe drejtori Thierry Frémaux.

“Jemi të lumtur të kremtojmë talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe, më gjerësisht, kinemanë e një vendi që është thellësisht e angazhuar në reflektimin mbi kohën tone,” nënvizohet më tej. Chan-wook pason Juliette Binoche si presidente e jurisë në Kanë. Në 2025-sën, Binoche ia dorëzoi Palmën e Artë filmit “It Was Just an Accident” nga Jafar Panahi.

Çmimin prestigjioz të këtij festivali, në 2019-tën e kishte marrë filmi i njohur koreano-jugor, “Parasite”. Festivali i Kanës do të mbahet nga data 12 deri më 23 maj.

Filmi i fundit i Chan-wook, “No Other Choice”, u përzgjodh nga Koreja e Jugut si përfaqësues për çmimet Oscar, por nuk arriti të marrë ndonjë nominim. Associated Press megjithatë e ka cilësuar atë si një nga filmat më të mirë të vitit 2025.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB