“Nuk ishte pronari i parave”/ Polici u kap me 1 milion euro në makinë, Spahiu në ‘Top Story’: Mund të kenë ardhur nga biznese që…

25/02/2026 22:45

Aurel Kaziu është polici që u arrestua një ditë më parë pasi u kap në territorin e Kosovës me një milion euro në makinë dhe më pas u pezullua nga detyra.

Juristi Kreshnik Spahiu, në një lidhje live në “Top Story”, u shpreh se paratë që polici po transportonte nuk janë domosdoshmërisht të ardhura nga droga, por mund të vijnë edhe nga pastrimi i parave në biznese që duan t’u shmangen taksave.

“Nuk bëhet fjalë për pastrim parash në Shqipëri, por në Kosovë. Rasti i këtij efektivi është më i rëndë, sidomos për shkak të mënyrës së transportimit të parave. Unë kam edhe tezat e mia: zakonisht, transportuesit nuk janë drejtpërdrejt pronarët e parave. Ata paguhen nga pronarët e tyre.

Në rastin konkret ka një shkallë të lartë vështirësie. Nuk është një transportim brenda BE-së, ku ka liri lëvizjeje. Në rastet e sjelljes së parave në Shqipëri, kontrolli është më i rreptë.

Sa u përket shqiptarëve, duke pasur parasysh që mund të jenë në fillimet e aktiviteteve ilegale, nuk përjashtohet mundësia që dy shqiptarët nga Kosova të jenë pronarët e parave dhe të kenë punësuar punonjësin shqiptar.

Një gjë është e sigurt: paratë nuk vijnë nga Evropa Veriore. Është pothuajse e pamundur që ato të kthehen nga Evropa në Kosovë brenda 24 orëve. Mund të jenë para që qarkullojnë diku në Ballkan.

Nuk është e thënë që të jenë para droge. Ka shumë sipërmarrës që u shmangen taksave të larta në BE. Mund të jenë para biznesesh, mund të kemi të bëjmë me pastrim parash ose evazion fiskal”, u shpreh Spahiu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB