Në fokus thjeshtimi dhe harmonizimi i marrëdhënieve, Zvicra dhe BE finalizojnë paketën e re të marrëveshjeve

25/02/2026 14:36

Zvicra dhe Bashkimi Europian do të nënshkruajnë javën e ardhshme një paketë të re marrëveshjesh që synojnë thjeshtimin dhe harmonizimin e marrëdhënieve mes tyre, njoftuan autoritetet në Bernë dhe Bruksel.

Sipas qeverisë zvicerane, presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të firmosin paketën e quajtur “Bilaterals III” në Bruksel, të hënën.

Aktualisht, marrëdhëniet mes Zvicrës dhe BE-së rregullohen nga një numër i madh marrëveshjesh dypalëshe. Për vite me radhë, palët kanë synuar arritjen e një kuadri më të gjerë bashkëpunimi.

Në maj 2021, Zvicra u tërhoq papritur nga më shumë se një dekadë negociatash, por bisedimet rifilluan tre vjet më vonë, me synimin për të ndërtuar një bazë më të qëndrueshme për bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Sipas njoftimit zyrtar, më 2 mars do të nënshkruhen marrëveshjet dhe protokollet e mbetura, si dhe një deklaratë e përbashkët që krijon një dialog të nivelit të lartë mes palëve.

Megjithatë, marrëveshja nuk hyn automatikisht në fuqi. Ajo do të duhet të miratohet nga parlamenti zviceran dhe më pas të kalojë në referendum, në përputhje me procedurat demokratike të vendit.

Ky zhvillim konsiderohet një moment kyç për të ardhmen e marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB