Kriza humanitare në Kuba, Marco Rubio takohet me liderët e shteteve në rajonin e Karaibeve

25/02/2026 21:28

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, mbërriti në Shën Kits dhe Nevis të hënën dhe filloi bisedimet me udhëheqësit e Karaibeve, të cilët paralajmërojnë se kriza e zgjatur humanitare në Kubë mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka bllokuar dërgesat e naftës në Kubë, duke rritur presionin mbi Havanën pas arrestimit të Presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, një aleat i ngushtë i Kubës.

Sot, qeveria amerikane la të kuptohej se nafta venezueliane mund të rishitej dhe të dorëzohej në Kubë, me kusht që transaksioni të mos i sjellë dobi regjimit të Havanës, por “popullit” të ishullit.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi se do të zbatonte një politikë të favorshme ndaj kërkesave për rishitjen e naftës venezueliane në Kubë. Kjo është një masë “mbështetjeje dhe solidariteti me popullin kubanez”, vuri në dukje ai, në kuadër të vizitës së Rubios në Karaibe.

Më parë, Trump kërcënoi të vendoste tarifa për çdo vend që furnizon Kubën me naftë dhe i kërkoi udhëheqjes së ishullit të arrinte një marrëveshje në mënyrë që të mos përkeqësonte krizën humanitare. SHBA-të premtuan së fundmi t’u dërgojnë kubanezëve 9 milionë dollarë ndihmë humanitare, e cila do të shpërndahet në ishull nga Kisha Katolike.

Rubio foli në një takim me dyer të mbyllura të krerëve të shteteve dhe qeverive të Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) dhe ka kontakte dypalëshe me disa udhëheqës në rajon, ku çështjet kryesore janë migracioni dhe lufta kundër trafikimit të drogës.

Para mbërritjes së ministrit amerikan, kryeministri xhamajkan Andrew Holness bëri thirrje për një përgjigje kolektive të CARICOM ndaj krizës në Kubë, e cila nuk është anëtare, por mban lidhje me Komunitetin.

Kuba prej vitesh ka dërguar mjekë dhe mësues për të punuar në vendet fqinje. Uashingtoni po u bën presion këtyre vendeve, ndër të tjera, që të ndalojnë pjesëmarrjen në programin kubanez të dërgimit të mjekëve, i cili është një burim valutor për Havanën.

“Kriza humanitare nuk i shërben askujt. Përveç kujdesit tonë vëllazëror dhe solidaritetit tonë me popullin kubanez, duhet të bëhet e qartë se një krizë e zgjatur në Kubë nuk do të kufizohet vetëm në Kubë. Ajo do të ndikojë në migrim, siguri dhe ekonomi në të gjithë Karaibet”, tha Holness, duke bërë thirrje për “dialog konstruktiv midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara” për të arritur “ulje tensionesh, reformë dhe stabilitet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB