Fjalimi drejtuar kombit, Trump rreshton arritjet: Kjo është epoka e artë e Amerikës
Japonia do të vendosë raketa tokë-ajër me rreze të mesme veprimi në ishullin e saj më perëndimor, Yonaguni, deri në mars të vitit 2031, njoftoi ministri japonez i mbrojtjes Shinjiro Koizumi.
Vendimi vjen në një kohë tensioni të shtuar rajonal mes Japonisë dhe Kinës lidhur me situatën rreth Taiwan.
Sipas Koizumit, njësia në Yonaguni do të pajiset me raketa tokë-ajër të afta të interceptojnë avionë dhe raketa, me rreze veprimi rreth 50 kilometra dhe mbulim 360 gradë. Sistemi mund të gjurmojë deri në 100 objektiva njëkohësisht dhe të angazhojë deri në 12 prej tyre. Afati aktual për vendosjen është viti fiskal 2030, që përfundon në mars 2031.
Yonaguni ndodhet rreth 110 kilometra nga brigjet e Tajvanit dhe në ditë të kthjellëta është i dukshëm nga ishulli. Ky është afati i parë i përcaktuar zyrtarisht nga Tokio që kur plani për vendosjen e raketave u njoftua në vitin 2022.
Vendimi vjen mes përkeqësimit të marrëdhënieve mes Tokios dhe Pekinit. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta “ribashkuar”.
Tensionet u rritën më tej pasi kryeministrja japoneze Sanae Takaichi sugjeroi në parlament se Japonia mund të aktivizojë forcat e saj të vetëmbrojtjes në rast të një sulmi ndaj Tajvanit.
Si reagim ndaj qëndrimeve të Tokios, Pekini ka shtuar presionin diplomatik dhe ekonomik, përfshirë kufizime eksporti ndaj kompanive japoneze dhe dërgimin e mjeteve ushtarake pranë zonës. Gjatë një vizite të Koizumit në Yonaguni në nëntor, Kina ngriti dronë pranë ishullit, duke bërë që Japonia të ngrinte avionë luftarakë në përgjigje.
Top Channel