Banka Botërore kritikon politikat fiskale, raporti: Problem mbledhja e të ardhurave, niveli i pensioneve dhe kapitali njerëzor

25/02/2026 19:42

“Shqipëria duhet të rishikojë politikën fiskale, që mbetet relativisht e dobët”!

Ky është vlerësimi i Bankës Botërore, në raportin mbi politikat fiskale të vitit 2025, ku vëren se me ritmin aktual të reformave, rritja vjetore pritet të ngadalësohet në planin afatgjatë, duke arritur vetëm 1.5 përqind deri në vitin 2050, për shkak të një popullsie në moshë pune në rënie, produktivitetit të dobët dhe rritjes së kapitalit njerëzor.

“Në kontekstin e stabilitetit makroekonomik, politika fiskale duhet të sigurojë që burimet të drejtohen në fushat prioritare, të ardhurat të mblidhen në mënyrë më të efektshme, dhe të ruhen rezerva të përshtatshme në kontekstin e rreziqeve në rritje. Në afat të shkurtër, prioritetet duhet të përfshijnë përmirësimin e mbledhjes së taksave; rritjen e alokimeve për sektorët e kapitalit njerëzor”, tregon raporti.

Ndërsa vlerëson progresin në rritjen ekonomike përgjatë kësaj dekade, Banka Botërore vëren se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë për të arritur nivelin e të ardhurave të Bashkimit Evropian, dhe për këtë, theksohet nevoja për mbledhje më të lartë dhe më efikase të të ardhurave publike, si dhe përmirësim i cilësisë së shpenzimeve.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka përmirësim në sektorët e energjisë dhe transportit, duke arritur akses pothuajse universal në sektorin e energjisë elektrike, si dhe ka bërë investime të konsiderueshme në energjinë hidroelektrike dhe energjinë e rinovueshme.

Po ashtu, raporti thekson se janë bërë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, duke çuar gati 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për investime publike, por rrjeti i transportit vazhdon të paraqesë probleme.

“Rrugët karakterizohen nga gjendje e dobët, mbingarkesë trafiku dhe ndotje, ndërsa transporti hekurudhor dhe ai detar mbeten të penguar nga infrastruktura e vjetruar. Eliminimi i shpenzimeve joefikase për infrastrukturë mund të përmirësojë Indeksin e përgjithshëm të Infrastrukturës me 18.6 përqind”.

Më tej, raporti evidenton edhe problemin që lidhet me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Sektori i transportit dhe energjisë konsiderohet shumë i ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, ndërsa financimi për menaxhimin e fatkeqësive dhe mbrojtjen e mjedisit mbetet i pamjaftueshëm. Një tjetër problematik, sipas raportit, mbeten edhe shpenzimet për pensionet, që janë ndër më të ulëtat në Evropë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB