“Rezarti ka bërë punë të madhe”, zbardhen hetimet për Taçin, planet për pastrimin e parave të mafias italiane: Ai është fuqi, e di mirë ç’duhet bërë

24/02/2026 16:25

Prokuroria e Posaçme kërkon 13 vite burg për biznesmenin e hidrokarbureve Rezart Taçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal me të cilin akuzohet se do të pastronte 18,3 milionë euro të mafias italiane.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se kryeprokurori i  SPAK Klodian Braho veç dënimit të Tacit kërkoi gjithashtu edhe konfiskimin dhe kalimin në favor te shtetit të rreth 18 milionë eurove.

Shuma monetare prej 18,399,941.50 euro ishte në llogarinë e Francesko Zummo. Llogaritë bankare aktualisht janë të konfiskuara sipas një vendimi po të Gjykatës së Posaçme kur dënoi Artur Ballën dhe Bledar Lilon.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, është zbardhur i gjithë “plani” për pastrimin e parave.

Nga provat e administruara dhe të shqyrtuara në këtë gjykim rezultuan se në Tiranë, në datën 18.06.2021, është çelur një llogari bankare në monedhën Euro, nga shtetasi italian Francesco Zummo, lindur më 16.11.1932, lindur në Palermo, Itali.

Po në datën 18.06.2021, është çelur edhe një llogari bankare nga një shtetas tjetër italian me emrin Fabio Petruzzella, lindur më 23.08.1962, lindur në Palermo, Itali.

Francesco Zummo dhe Fabio Petruzzella kanë hyrë në Shqipëri në datën 17.06.2021 nëpërmjet aeroportit Rinas dhe po në datën 17.06.2021, ora 20:52, dy shtetasit e mësipërm kanë dalë nga Shqipëria në pikën kufitare Muriqan, në drejtim të Malit të Zi.

Në datën 18.06.2021, që është dita kur kanë çelur llogaritë bankare, shtetasit italian kanë hyrë sërish në Shqipëri në orën 12:08, dhe del se pasi kanë kryer veprimet në bankë, po në datën 18.06.2021, ata kanë dalë nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit Rinas, me linjën ajrore Alitalia, në drejtim të qytetit të Romës, Itali.

Te punonjësit e bankës shtetasi italian Fabio Petruzzella është prezantuar si avokat i Francesco Zummos, ndërsa ky i fundit si një biznesmen që do të investonte në Shqipëri.

Shtetasit italian e kanë kryer udhëtimin për në Malin e Zi së bashku me shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo me automjetin e Mustafa Taçit.

Shtetasi Artur Balla është vëllai i bashkëshortes së të pandehurit Rezart Taçi, ndërsa automjeti i mësipërm është i rregjistruar në pronësi të shtetasit Mustafa Taçi, i cili është babai i të pandehurit Rezart Taçi.

Në datën 28.07.2021 në drejtim të llogarisë së shtetasit italian Francesco Zummo është kredituar një transfertë në shumën 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro, të transferuara nga një llogari bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën e Shtetit të Kantonit Ticino, në Zvicër. Fillimisht kjo shume monetare ka qënë në proçes kreditimi në një llogari bankare tranzitore dhe në datën 02.08.2021 shuma monetare e mësipërme është transferuar në llogarinë në emër të Francesco Zummo.

Duke u bazuar në vlerën e lartë të transaksionit dhe mungesën e dokumentacionit justifikues janë kryer verifikime në burime të hapura të informacionit për shtetasin italian Francesco Zummo.

Nga verifikimet janë konstatuar të dhëna me rëndësi për hetimin, ku pasqyrohet se Francesco Zummo i njohur si biznesmen në fushën e ndërtimit, ka qënë i proçeduar penalisht nga autoritetet italiane për pastrim të parave dhe për implikime me organizatën mafioze Coza Nostra.

Në burime të hapura rezultonin të dhëna se ai ka qënë i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe ka bashkëpunuar me mafien që në vitet 1970-1980.

Gjithashtu, janë konstatuar në burime të informacioneve të hapura se muajin dhjetor të vitit 2020 Gjykata e Apelit të Palermos, Itali, ka vendosur konfiskimin e pasurive në zotërim të Francesco Zummo, që kanë pasur vlerën prej rreth 150 milion Euro.

Mbi bazën e rrethanave dhe fakteve të mësipërme, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar proçedimin penal, viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Në momentin e fillimit të ndjekjes penale, është informuar në lidhje me faktet e mësipërme objekt të hetimeve Prokuroria e Republikës në Gjykatën e Palermos, Drejtoria Distrektuale Antimafia.

Nga ana e Prokurorisë së Palermos në vijim janë filluar në mënyrë paralele hetimet për veprimet e shtetasve të mësipërm në territorin italian, si dhe njëkohësisht janë shkëmbyer informacione spontane me autoritetin e mësipërm në vazhdimësi për ecurinë e hetimeve.

Me vendimin e prokurorit datë 30.07.2021 “Për sekuestrimin pranë bankave në raste të ngutshme” është vendosur sekuestrimi u shumës monetare të transferuara në Shqipëri nga shtetasi italian Francesco Zummo.

Vendimi i sekuestrimit i është komunikuar bankës menjëherë, ndërkohë në atë moment shuma monetare ndodhej në fazë kreditimi në llogari, në një llogari tranzitore.

Ekzekutimi përfundimtar i vendimit të sekuestrimit është bërë në momentin që shuma monetare është transferuar plotësisht në llogarinë bankare në emër të shtetasit italian Francesco Zummo.

Me vendimin e sekuestrimit është urdhëruar ruajtja e sekretit hetimor për kryerjen e sekuestrimit dhe personat e interesuar deri në datën 12.11.2021, moment kur janë ekzekutuar masat e sigurimit personale dhe janë kryer veprime të hapura hetimore, nuk kanë pasur dijeni për sekuestrimin e shumës monetare.

Në datën 02.08.2021 ka hyrë në Shqipëri shtetasi italian Fabio Petruzzella dhe është paraqitur në bankë. Në këtë ditë shtetasi italian Fabio Petruzzella ka depozituar në degën e bankës një sërë dokumentesh, midis të cilave edhe prokurën e posaçme sipas të cilës i përfaqësuari Francesco Zummo ka emëruar si përfaqësues të tij shtetasin italian Fabio Petruzzella, duke e pajisur me tagra përfaqësimi për të kryer çdo veprim për llogarinë bankare në emër të të përfaqësuarit.

Prokura e posaçme është lëshuar nga noteri, i cili me kërkesën e bashkëshortes së të pandehurit Rezart Taçi ka shkuar në Palermo, në Itali, për nënshkrimin e prokurës nga i përfaqësuari Francesco Zummo.

Shtetasi italian Fabio Petruzzella ka depozituar në degën e bankës edhe një deklaratë nga Francesco Zummo në të cilën ka shpjeguar se ka transferuar shumën monetare nga Zvicra në Tiranë, pasi ka vendosur që të kalojë vitet e mbetura të jetës së tij në Shqipëri, me synimin që të kryejë investime në sektorin e naftës. Ka shpjeguar se ka njohur edhe një zonjë me të cilën shpreson që të kalojë jetën dhe se shuma monetare ka qënë e depozituar në Zvicër për më tepër se 30 vjet dhe se ato janë produkt i aktivitetit të tij në fushën e sipërmarrjes.

Në dokumentacionin e depozituar në bankën e nivelit të dytë ndodhen edhe disa dokumente bankare që tregojnë lëvizjet bankare të kryera nga shtetasi italian Francesco Zummo në Bankën e Shtetit të Kantonit Ticino, në Zvicër. Sipas dokumentacionit rezulton se në këtë bankë është çelur një llogari bankare në emër të Fondacionit Piraka dhe në këtë llogari bankare ka qënë gjëndje shuma monetare prej 19,204,726 Euro.

Fondacioni Piraka është themeluar nga Francesco Zummo në vitin 1998, me seli në Vaduz, Lihtenshtajn.

Në datën 26.07.2021 nga llogaria bankare e Fondacionit Piraka është transferuar në llogarinë bankare personale, në të njëjtën bankë, të shtetasit italian Francesco Zummo shuma prej 18,500,000 Euro.

Po në datën 26.07.2021 Francesco Zummo ka transferuar nga llogaria personale në Bankën e Shtetit për në llogarinë e tij personale në bankën e nivelit të dytë në Tiranë shumën monetare prej 18,400,009 Euro. Duke u zbritur shuma e komisioneve të kryerjes së transfertave bankare shuma neto e transferuar në llogarinë bankare ka qënë 18,399,941.50 Euro.

Gjatë hetimeve të kryera është provuar se i pandehuri Rezart Taçi dhe shtetasi Artur Balla kanë pasur njohje me drejtorin e bankës në atë periudhë.

Shtetasi Artur Balla e ka njoftuar paraprakisht këtë të fundit për hapjen e llogarive nga dy shtetasit italian, si dhe njëkohësisht ka mbajtur komunikime me të për transferimin e shumës monetare, si dhe e njoftonte paraprakisht në rastet kur është paraqitur në bankë shtetasi italian Fabio Petruzzella.

Nga hetimet ka rezultuar se në datën 02.08.2021 Francesco Zummo dhe Artur Balla janë takuar me një jurist, të cilit i është kërkuar që të kryejë një shërbim konsulence për përgatitjen dy drafte kontratash. Në datën 04.08.2021 ky i fundit ka komunikuar me shtetasin Artur Balla, ku midis tyre janë shkëmbyer këto komunikime:

A.Balla: 18.4 jo 15, Cdo gje tjeter ne rregull.

Juristi: Po 15 më tha atë ditë. ok.

A.Balla: Jane 18.4 por 16% eshte e jona, por gjithsesi shume do kaloje e gjitha ne kompani pastaj ne do marrim pjesen tone, kshuqe ndrysho vetem shifren. Kurse per kontratat e Hong Kongut jane 15.

Juristi: Ok, po ia çoj pra të financimit.

Në vijim të hetimeve janë siguruar kopje të drafteve të kontratave të hartuara dhe ka rezultuar se juristi ka përgatitur draftin “marrëveshje huadhënie”, të datës 09.08.2021 me huadhënës të papërcaktuar dhe huamarrës shoqërinë “E.B.C Oil Company” sh.a, për dhënien e një huajë në shumën 18,400,000 Euro. Sipas kësaj marrëveshje huaje do të jepej për një afat prej 18 muaj, me normë interesi 5 % në vit, si dhe huaja do të përdorej për qëllimin e blerjes së naftës, për tu rishitur më pas nga hua marrësi në Shqipëri apo vënde të tjera.

Ai ka përgatitur gjithashtu marrëveshjen e emërtuar “Letra e agjentit të ruajtjes së garancisë së parë”, me palë “E.B.C Oil Company” sh.a (dhuruesi), me një shoqëri që shet naftë (Shitësi), të përshkruar me emrin “XXXXX”, si dhe një shoqëri tjetër të autorizuar me përshkrimin “___ (emri i shoqërisë në Hong Kong)”.

Sipas kësaj marrëveshje është parashikuar që shoqëria e autorizuar (shoqëria në Hong Kong) do të merrte nga dhuruesi (E.B.C Oil Company sh.a) dhe do të mbante përkohësisht shumën prej 15,000,000 Euro (shumën e garancisë) dhe do të garantonte kryerjen e proçesit të shitjes së sasisë së naftës nga shitësi tek blerësi, me qëllim që të garantohej pagesa e çmimit të shitjes.

Në datën 04.08.2021 juristi i ka dërguar me poste elektronike shtetasit Fabio Petruzzella draftin për marrveshjen e huasë, ndërsa në datën 07.08.2021 i ka dërguar draftin për letrën e grancisë.

Shoqëria “E.B.C Oil Company” sh.a është e regjistruar në vitin 2011, me objekt të veprimtarisë importin, eksportin, tregtimin me shumicë dhe pakisë të naftës dhe nënprodukteve të saj etj.

Shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo janë anëtar të Këshillit të Administrimit të kësaj shoqërie.

Sipas statutit të kësaj shoqërie Këshilli i Administrimit është organ i shoqërisë i cili ushtron njëkohësisht funksione administrimi dhe mbikëqyrje të veprimtarisë së shoqërisë, duke përfshirë edhe emërimin dhe shkarkimin e administratorëve apo ndarjen e kompetencave midis tyre.

Nga hetimet e kryera, referuar dëshmive të personave të pyetur dhe të dhënave të nxjerra nga telefoni i shtetasit Artur Balla, rezulton se zotëruesi faktik i kësaj shoqërie tregtare është i pandehuri Rezart Taçi, i cili konfirmonte çdo veprim apo transanksion financiar që kryhej nga ana e punonjësve të shoqërisë.

Shtetasi italian Fabio Petruzzella ka ardhur përsëri në Shqipëri në datat 08.09.2021-09.09.2021 si dhe në datat 28.09.2021-29.09.2021. Edhe në këto dy periudha qëndrimi, ashtu sikurse edhe në dy periudhat e qëndrimit të mëparshme në datat 17.06.2021-18.06.2021 dhe datat 02.08.2021-03.08.2021, ai është shoqëruar gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Tiranë, nga momenti i hyrjes nga aeroporti Rinas deri në momentin e daljes, nga shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Në aparatin e telefonit celular të sekuestruar shtetasit Artur Balla janë gjetur komunikime midis tij dhe të pandehurit Rezart Taçi, si dhe komunikime me shtetasit italian Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, që lidhen me faktet objekt akuze.

Shtetasi Artur Balla ka komunikuar me të pandehurin Rezart Taçi të rregjistruar në aparatin e telefonit celular me emrin “R.1”. Në datën 26.07.2021 i pandehuri Rezart Taçi i dërgon një fotografi (screenshot) të komunikimit të tij me Fabio Petruzzella, ku ky i fundit i ka shkruar midis të tjerave se “operacioni u krye… po pres sëift”.

I pandehuri Rezart Taçi i shkruan shtetasit Artur Balla se “dolën tani vëlla”, ndërsa Arturi i përgjigjet “pasnesër vijnë thotë Morisi”. Shtetasi Artur Balla i dërgon edhe draftin e prokurës së përgjithshme (që është depozituar më pas në bankë) që kërkohej nga shtetasi Moris Fidhi në bankë, si dhe fotografinë e një letre të bardhë ku është shkruar me shkrim dore një adresë e-maili që i përket bankës me shënimin “origjinën e fondeve në këtë llogari”.

Në datën 28.07.2021 i pandehuri Rezart Taçi i ka dërguar shtetasit Artur Balla me mesazhin me përmbajtjen “Zoti i madh na ndihmoftë”.

Më pas i pandehuri Rezart Taçi i ka dërguar shtetasit Artur Balla një foto të bërë me opsionin “screenshot” që përmban të dhëna të publikuara në internet që bëjnë fjalë për Francesco Zummo-n.

Në faqen e pare është fotoja e Francesco Zummo ku përshkruhet se “Francesco Zummo të gjithë artikujt e publikuar, galeria fotografike dhe video… Palermo, konfiskim shumë i madh për Zummo, ndërtuesi i “thesit”.

Në faqen e dytë përshkruhet se “Palermo. Konfiskim i gjithë pasurisë së Francesco Zummo i konsideruar në dispozicion të mafias”.

Ky komunikim tregon qartë faktin se i pandehuri Rezart Taçi dhe shtetasi Artur Balla kanë pasur dijeni plotësisht për faktin se Francesco Zummo ka i lidhur me mafian dhe se për pasuritë e tij është vendosur konfiskimi nga gjykata italiane.

Në vijim ekzistojnë komunikime midis të pandehurit Rezart Taçi dhe shtetasit Artur Balla që komunikojnë mbi dokumentet që duhen dorëzuar në bankë, mbi biseda që janë bërë me Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, si dhe komunikime që këta dy të fundit kanë bërë me njëri tjetrin.

Në datën 28.09.2021 Daniele Cestagalli i ka dërguar shtetasit Artur Balla foto të komunikimit të tij me Fabio Petruzzella, të cilit i shkruan se: “TI 1) Ti tani je më i qetë pasi besoje që dikush mund të merrte paratë e tua. Qetësohu pasi kështu qetëson edhe klientin tënd. Të kërkoje home banking ishte një vetvrasje!!! NE: E zgjove bankën, zgjove Interpol, shqetësove Moris, RT, Artur dhe mua. Po vë në rrezik edhe veten tënde për një copë letre që nuk shërben për asgjë. Këtu po punojmë në heshtje për rezultatin dhe nëse më lejon ajo që bëre ishte një budallallëk.”

Më tej Cestagalli i shkruan Artur Ballës që “sapo ia dërgova atij kokë derrit që ke pranë”. Nga ana e tij Arturi i përgjigjet se “e kuptova vëlla, falë zotit shkoi mirë. M është një mik shumë i zgjuar është një zotëri i vërtetë. Jemi drejt fundit dhe nuk duhet ta humbasim tani”.

Ndërkohë, Fabio Petruzzella i është përgjigjur Daniele Cestagallit se “Daniele vendos klienti, jo unë…”.

Në vijim Daniele Cestagalli i dërgon shtetasit Artur Balla edhe një komunikim tjetër me Fabio Petruzzellën, ku i shkruan këtij të fundit midis të tjerave se: “Fabio unë sapo e mbylla bisedën me Rezart….. Rezart dhe gjithë skuadra kanë bërë një punë shumë të madhe dhe në asnjë vënd të botës sdo mund të bëhej….. Rezart dhe Artur janë një fuqi dhe dinë saktësisht çfarë duhet bërë ….”.

Në aparatin e telefonit celular janë gjetur komunikime të tjera të shtetasit Artur Balla me të pandehurin Bledar Lilo që komunikojnë në lidhje me pritjen dhe shoqërimin e shtetasit italian Fabio Petruzzella. Është gjetur një komunikim i datës 23.09.2021 me një shtetas të cilit i shkruan se “duheshe dikush për tek pastrimi i parave…. kush e ka vënë aty….kujt si thotë jo?? ”.

Në aparatin e telefonit celular të sekuestruar shtetasit Bledar Lilo është gjetur një bisedë e rikuperuar nga bisedat e fshira, e zhvilluar në datën 18.06.2021, që përkon me datën e çeljes së llogarive bankare nga shtetasit italian Francesco Zummo dhe Fabio Petruzzella.

Shtetasi Bledar Lilo i ka dërguar mesazh personit të rregjistruar me emrin “xxx” me përmbajtjen “me shkruj signal tek ky numer ne”, “zummo francesco”, “google ne futu”.

Personi tjetër i përgjigjet “ok”. Saktësojmë se mesazhet e rikuperuara dalin me shkëputje dhe fjalët nuk rikuperohen në rendin kronologjik sipas të cilit ato janë shkruar.

Nga ky komunikim, duke patur parasysh faktin që në motorin “google” të kërkimit në internet kanë ekzistuar një sërë lajmesh që njoftojnë faktin se Francesco Zummo është gjykuar në Itali si i lidhur me mafien dhe se pasuria e tij është konfiskuar, provohet plotësisht dijenia e shtetasit Bledar Lilo lidhur me personalitetin e shtetasit italian Francesco Zummo, mbi lidhjen e tij me mafian, si dhe mbi faktin se për pasuritë e tij është vendosur konfiskimi i tyre nga autoritetet italiane.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se në emër të Fabio Petruzzella është paraqitur një kërkesë që mban datën 13.10.2021, në formën e një ankese, ku përmëndet fakti që në bankë ndodhet një shumë prej 18,4 milionë euro, në pritje të autorizimeve përkatëse nga institucionet shqiptare.

Kërkesa është përpiluar nga një punonjëse në shoqërinë “E.B.C Oil Company” sh.a, përpiluar sipas porosisë së shtetasit Artur Balla dhe të pandehurit Rezart Taçi. Në kërkesë, poshtë emrin Fabio Petruzzella, është vendosur edhe numëri i telefonit celular që në fakt i përket të pandehurit Rezart Taçi.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kjo kërkesë është depozituar në postën private nga shtetasi Bledar Lilo dhe më pas është dërguar për tu trajtuar në Agjensinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Kërkuesi nuk ka marrë ndonjë përgjigje lidhur me këtë kërkesë deri në momentin që hetimet janë bërë publike.

Sipas planit të organizuar nga Cestagalli dhe Taçi, Zummo dhe Petruzzella, pasi do të mbërrijnë në Tiranë, ata do t’i prisnin personat e vënë në dispozicion nga Taçi, të cilët do t’i çonin në Mal të Zi, ku të kalonin natën dhe ditën tjetër të plotësonin personalisht hapjen e llogarive në bankën e Podgoricës.

Në datën 20.07.2021 është zhvilluar një bisedë tjetër midis Daniele Cestagalli dhe Rezart Taçi sipas të cilës faza e parë e operacionit bankar do të realizohet nëpërmjet një banke zvicerane Banka e Shtetit në Kantonin Ticino.

Plani parashikon transferimin e shumës prej 19 milionë e treqind mijë euro. Sipas përgjimeve Zummos i është kërkuar nga Taçi dhe Cestagalli për rolin e tyre në operacionin kompleks të fshehjes një shumë prej 3 milionë e 88 mijë Euro, duke u shprehur se nga 19 milionë e 300 mijë Euro për tu transferuar në Zvicër dhe më pas në Shqipëri, Zummo-s i mbeten 16 milionë.

Shuma prej 3 milionë e 88 mijë Euro përfaqëson pikërisht 16 % të shumës prej 19 milion e 300 mijë Euro, shumë e cila korespondon me bisedën e mëparshme të datës 15.06.2021, ku përmëndet vlera “16”.

Konkretisht, Cestagalli në bisedë me Taçin ka kryer këtë bisedë:

Cestagalli: Sapo dola nga një bisedë shumë, shumë të përzëmërt, kështu është vënë në vijë, ia shpjegova fije për pe, nuk është dëbuar, kjo është gjëndja, ata, të enjten kthehet bank oficer. Aktualisht janë akoma në fondacion, kështu duhet të zbresim në … si quhet…. në llogarinë personale që është në bankën shtet. Ok… thënë kjo, sapo të zbresin do transferohen direkt nga ana tjetër, e gjitha, pra të gjitha….. nëntëmbëdhjetë e tre (19,300,000 Euro)………………të enjten, të enjten, se ata zbresin nga fondacioni të enjten, në llogarinë nominale, të personit………………….. tani kryesorja ndërkaq është kjo unë i thashë, “dëgjo, që të mos e lëvizim zotërinë e vjetër në moshë Rezarti vendosi që zgjidhja më e mirë është që ti të veprosh me prokurë dhe bëjmë të gjitha direkt”, aty ai më bën “atë që bëni ju për mua është shumë në rregull”….. ata bëjnë transferimin nga dy fondacionet në llogari private-llogari private-direkt se ku duhet të shkojë. Ok.

Pas kësaj po u bë të enjten ne e sjellim sipër të martën, ai kryen të gjitha veprimet….. Noteri, me kuç e me maç e githçka nevojitet dhe ditën tjetër të mërkurën/të enjten, domethënë kur të kenë kaluar 5-6 ditë mund të transferojë në Singapor apo Hong Kong, ok? … jo, 16-ta e tyre ajo që mbetet se “ne tërheqim 3 e 88” dhe ajo që mbetet do të jetë ajo që nevojitet, si të them… por unë do ti lija sipas një 100, 200 mijë në llogari…, si thua ti?……. ai duhet…. sipas meje duhet të bëjë dy gjëra…. një 16 % të 19 dhe 3 (19.300.000), gjëja e parë që duhet bërë duhet ta bëjë ai si përfaqësues dhe ne vemi jashtë me pjesën tonë… dy, duhet të bëjë transferimet në Shqipëri drejt, drejt ku duhen të dërgohen….. mos e vrit mëndjen Rezart, domethënë për atë mos e vrit mëndjen.. nuk është problemi aty… problemin e vërtetë sot e kemi që këto dy ditë të mos bëhej publike (vendimi kundër Zummo në Gjykatën e Kasacionit)……. mesazhi është ky, i telefonoj dhe i them: “lidhur me atë që folëm shoku… vëlla do të vendosë, mund të vendosë në dispozicion shoqërinë e tij pa dëme dhe pa të kërkuar gjë”, ky është koncepti ok.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB