Pasiguri në tregje, tarifat me 10% të Trump hyjnë sot në fuqi pas vendimit të Gjykatës së Lartë

24/02/2026 08:49

Kanë hyrë në fuqi tarifat e reja globale prej 10% që Donald Trump vendosi pasi Gjykata Supreme bllokoi të premten shumë nga taksat e tij mbi importet.

Në një lëvizje të qartë sfiduese ndaj këtij vendimi, shefi i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi vetëm disa orë më pas një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifës së re duke nisur nga 24 shkurti.

Mendoj se një lëvizje e tillë thjesht shton kaosin dhe rrëmujën”, u shpreh Carsten Brzeski, analist në bankën e investimeve ING, duke iu referuar ndryshimeve të shpejta të tarifave dhe ndikimit të tyre te bizneset. “Sa i përket pasigurisë, jemi kthyer aty ku ishim vitin e kaluar,” theksoi ai për programin Today të BBC-së, duke shtuar se tani ekziston një rrezik më i lartë që partnerët tregtarë të SHBA-së të kundërpërgjigjen. “Rreziku i një lufte të mirëfilltë tarifash, një lufte tregtare të përshkallëzuar është sot shumë më i lartë se vitin e kaluar,” nënvizoi eksperti.

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump thekson se tarifa e përkohshme mbi importet synon të “adresojë problemet themelore të pagesave ndërkombëtare dhe të vazhdojë punën e administratës për të ribalancuar marrëdhëniet tona tregtare në dobi të punëtorëve, fermerëve dhe prodhuesve amerikanë”. Administrata po e zbaton këtë masë bazuar në Aktin e Tregtisë të vitit 1974, i cili i lejon presidentit të vendosë këtë tarifë për 150 ditë pa miratimin e Kongresit.

Shtetet e Bashkuara, sipas BBC-së rezulton të kenë mbledhur tashmë të paktën 130 miliardë dollarë nga tarifat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB