Deri 80% e banorëve të rritur të Shqipërisë as agjërojnë dhe as mbajnë kreshmë
Nga Galit Peleg, Ambasadore e Izraelit në Shqipëri
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri iu bashkua misionit humanitar në Ukrainë në vitin 2022.
Në mars të vitit 2022, vetëm disa javë pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, hipa në një aeroplan si pjesë e delegacionit zyrtar humanitar të Izraelit. Në atë kohë isha Drejtoreshë e Departamentit për projektet jashtë vendit dhe Koordinatore e donacioneve qeveritare të Izraelit për Ukrainën pjesë e MASHAV, Agjencisë Izraelite për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, që vepronte nën Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Misioni ynë ishte i qartë, të krijonim një spital fushor plotësisht funksional për civilët që iknin prej luftës në Ukrainën perëndimore, pranë kufirit Polak.
Ai spital u bë zemra e përgjigjes humanitare të Izraelit.
Delegacioni ynë, i udhëhequr nga Qendra Mjekësore Sheba dhe i drejtuar nga Profesor Yoel Har-Even, i cili sot drejton projekte të rëndësishme mjekësore në Shqipëri, përfshinte afërsisht 80 mjekë, infermierë, ndihmës-mjekë, teknikë dhe ekspertë logjistikë nga disa spitale izraelite. Hebrenj dhe arabë, fetarë dhe laikë, profesionistë me eksperiencë të gjatë dhe staf më i ri, që punonin krah për krah.
Spitali u vendos afërsisht 14 kilometra larg kufirit polak. Ai u quajt “Kochav Meir” si “Ylli që shndrit”, në nder të Golda Meir, Kryeministres së katërt të Izraelit e cila themeloi MASHAV.
Por emri i spitalit mbante një kuptim të dytë, të mirëfilltë. Në errësirën e luftës, ne kërkuam të ishim pikërisht kjo gjë, një yll i shndritshëm.

Kjo nuk ishte një klinikë simbolike. Ishte një spital plotësisht funksional. Përfshinte një departament urgjence, një të kujdesit pediatrik, një njësi materniteti, shërbime imazherie dhe laboratorike, mbështetje farmaceutike dhe lidhje telemjekësore me Izraelin. Funksiononte si spital në çdo kuptim të fjalës.
Për disa muaj aty u trajtuan civilë që kishin ikur nga bombardimet në Ukrainën qendrore dhe lindore.
Mbaj mend një djalë të ri që po i nënshtrohej trajtimit të një tumori. Lufta i kishte ndaluar jetën, por sëmundja e tij nuk kishte ndalur. Mbaj mend civilë të moshuar që vinin për të rinovuar recetat ose për të bërë rreze X. Mbaj mend raste të ndërlikuara mjekësore që kërkonin ndërhyrje urgjente. Po ashtu më kujtohet një grua që mbërriti me dhimbje lindjeje dhe që lindi në spitalin tonë fushor. Një jetë që depërtonte nëpërmjet hijes së shkatërrimit.
Ajo që më preku më shumë nuk ishte vetëm profesionalizmi mjekësor, por humanizmi. Mjekët dhe infermierët izraelitë i trajtonin pacientët me një empati të jashtëzakonshme. Disa nga anëtarë e delegacionit kishin emigruar nga Ukraina ose nga republika të tjera ish-sovjetike. Në korridore krahas hebraishtes dhe arabishtes, fliteshin rusishtja dhe gjuha ukrainase. Politika u shpërbë në mjekësi. Identiteti u shndërrua në përgjegjësi.
Spitali mishëronte diçka thelbësore në lidhje me Izraelin:, një vend që përjeton konflikt, por i përkushtuar ndaj parimit hebraik të “Tikun Olam” ndryshimi të botës.
Përtej mureve të spitalit, unë vizitova pikat kufitare midis Ukrainës dhe Polonisë. Atje, të rinj vullnetarë izraelitë mirëpritën refugjatët, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërkohë që burrat mbetën pas për të luftuar. Ata u jepnin pije të ngrohta, batanije, lodra dhe siguri. Këto nuk ishin imazhe stereotipe të popullatave të zhvendosura; ato ishin familje dinjitoze të detyruara të linin shtëpi e tyre të bukura brenda natës. Vullnetarët izraelitë u përgjigjën jo vetëm me furnizime, por edhe me dhembshurinë e lindur nga kujtesa kolektive.
Media ndërkombëtare ka tendecën të minimizojë kontributin e Izraelit në humanizmin botëror. Por përgjigjja e Izraelit nuk u kufizua vetëm në ekipet mjekësore dhe vullnetarët. Gjatë muajve të parë të luftës, Ministria e Punëve të Jashtme vendosi diplomatë izraelitë përgjatë kufijve të Ukrainës në Rumani, Moldavi, Poloni dhe Sllovaki për të ndihmuar qytetarët izraelitë, komunitetet hebraike, si edhe refugjatët në një kuptim më të gjerë.
Ekipet konsullore punuan papushim. U aktivizuan procedurat e emergjencës. Koordinimi me autoritetet lokale dhe partnerët ndërkombëtarë ishte i vazhdueshëm.
Edhe pse një vend i vogël gjeografikisht larg Ukrainës, gjurma e Izraelit në frontin humanitar ishte e rëndësishme.
Ndërkohë që spitali fushor “Kochav Meir” qëndronte në qendër të përgjigjes humanitare të Izraelit, ai ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të udhëhequr nga Ambasada Izraelite në Kiev së bashku me MASHAV dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Që në ditët e para të luftës:
• Fëmijët ukrainas që luftonin me kancerin u sollën në Izrael për trajtim të specializuar në spitalet kryesore izraelite, duke ofruar një shpresë të re mes shkatërrimit.
• Ushtarët e plagosur ukrainas iu nënshtruan rehabilitimit gjithëpërfshirës dhe trajtimit të avancuar me proteza në Izrael.
• Gjatë ndërprerjeve energjitike të gjata të dimrit, Ambasada Izraelite në Kiev, së bashku me Shërbimin Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, krijuan një “Pikë Rezistence” që siguroi energji elektrike, ngrohje, internet, ujë dhe pije freskuese për civilët.
• Qindra ton furnizime humanitare, duke përfshirë ilaçe, pajisje mjekësore, pajisje dimërore dhe sisteme pastrimi uji, u shpërndanë në të gjithë Ukrainën.
• Gjashtë ambulanca të blinduara të dhuruara nga Magen David Adom forcuan kapacitetin e reagimit ndaj emergjencave.
• Më shumë se 3,000 profesionistë morën pjesë në trajnime online për traumat dhe reagimin ndaj emergjencave, dhe 250 specialistë morën trajnim profesional në Izrael.
• Konferenca e parë ukrainaso-izraelite e rehabilitimit mblodhi ekspertë nga të dy vendet për të avancuar qasjet bashkëpunuese ndaj rimëkëmbjes fizike dhe psikologjike.
Këto iniciativa ishin të rëndësishme. Ato shpëtuan jetë, forcuan institucionet dhe mbështetën rezistencën.
Për mua, misioni kishte edhe një dimension personal:
Gjyshërit e mi ikën nga qyteti i Lvivit në vitin 1933, atëherë pjesë e Polonisë, sot e Ukrainës. Pothuajse e gjithë familja e tyre e zgjeruar u zhduk gjatë Holokaustit. Ata shpëtuan sepse ishin hebrenj.
Duke qëndruar në Ukrainë, në qarkun e Lvivit, si pjesë e një misioni humanitar që përfaqësonte shtetin sovran hebre, ndjeva historinë të bashkohej.
E gjeta veten duke u folur atyre në heshtje: Tetëdhjetë vjet më parë atyre iu desh të iknit nga këtu për shkak të identitetit tuaj hebre. Sot, unë qëndroj këtu si pasardhësja juaj, duke përfaqësuar një shtet të fortë hebre, duke ofruar ndihmë për të tjerët në nevojë.
“Kochav Meir” ishte më shumë se një spital. Ishte një deklaratë: Se në kohë errësire, edhe një vend i vogël mund të qëndrojë pranë atyre që kanë nevojë dhe të shkëlqejë.
Me të vërtetë një yll i shndritshëm.
Top Channel