Diplomaci, goditje të kufizuar apo sulm të madh ushtarak? Trump përballet me vendimin për Iranin

24/02/2026 10:46

Pas dërgimit të një nga grumbullimet më të mëdha amerikane ushtarake në Lindjen e Mesme që nga fillimi i Luftës në Irak, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka disa opsione mbi tavolinë për Iranin.

Sipas CNN, në opsionin e parë, Trump duket se preferon një marrëveshje pa konflikt. Përfaqësuesi special Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner po zhvillojnë bisedime indirekte me Iranin dhe do të kthehen të enjten në Gjenevë për një raund të ri negociatash.

Sidoqoftë, pala iraniane nuk duket e gatshme të pranojë kërkesën amerikane për zero pasurim uraniumi, një pikë kryesore e diskutimeve. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, theksoi se teknologjia e pasurimit është “çështje dinjiteti dhe krenarie” dhe nuk do të hiqet nga tavolina.

Një ide e mundshme për kompromis është pasurimi i sasisë së vogël të uraniumit për qëllime mjekësore, por ende nuk ka garanci që një marrëveshje do të arrihet.

Në opsionin e dytë duket se Trump mund të urdhërojë një goditje të kufizuar ndaj bazave ushtarake ose objekteve të lidhura me programin bërthamor të Iranit për të shtyrë Teheranin drejt një marrëveshjeje.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një sulm i tillë mund të forcojë vendosmërinë e Iranit për të mos u tërhequr dhe mund të shkaktojë hakmarrje ndaj bazave amerikane në rajon. Ushtria amerikane ka planifikuar tashmë operacionet dhe po përgatitet për çdo urdhër të Trump.

Ndërsa në opsionin e tretë, Trump mund të autorizojë një operacion të gjerë ushtarak me synim rrëzimin e udhëheqjes iraniane. Kjo do të përfshinte sulme të njëkohshme ndaj bazave ushtarake, objektivave të IRGC dhe elementëve të regjimit.

Por Pentagonin e shqetëson mundësia e viktimave amerikane, shtrirja e operacionit dhe pasojat për stoqet e armëve, sidomos ato që përdoren për mbështetjen e Izraelit dhe Ukrainës. Gjithashtu, nuk ka garanci se një sulm masiv do të rrëzonte regjimin dhe nuk është i qartë se kush do ta zëvendësonte atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB