Rrezikohej të dënohej me vdekje për akuzën e vrasjes së prindërve, djali i regjisorit të njohur hollywoodian shpallet i pafajshëm
Të paktën 25 anëtarë të Gardës Kombëtare të Meksikës kanë humbur jetën gjatë një vale të re dhune në shtetin Jalisco, pas vdekjes së bosit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Sipas ministrit të Sigurisë, trazirat kanë shpërthyer në të paktën 20 shtete që prej së dielës, kur Oseguera vdiq në paraburgim, pak pasi u kap nga forcat speciale meksikane.
Sekretari i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, bëri të ditur se 2,500 ushtarë janë dërguar në perëndim të vendit për të përforcuar sigurinë, ndërsa në operacion janë përfshirë ushtria, Garda Kombëtare dhe Forcat Ajrore.
Lideri i Cartel de Jalisco Nueva Generacion (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në vend, u kap të dielën pasi forcat e sigurisë zbuluan vendndodhjen e tij përmes një partnereje me të cilën po takohej, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Ai u plagos rëndë gjatë një shkëmbimi zjarri mes truprojave të tij dhe komandove ushtarake dhe “El Mencho” vdiq gjatë transportimit nga qyteti Tapalpa drejt kryeqytetit, Meksiko City.
Në operacion u vranë të paktën gjashtë nga truprojat e tij, ndërsa tre ushtarë meksikanë mbetën të plagosur.
Sekretari i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch, tha se pas vdekjes së Oseguerës janë vrarë një roje burgu, një anëtar i zyrës së prokurorit të shtetit dhe disa anëtarë të organizatës kriminale të tij.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e vlerësoi operacionin e ushtrisë dhe theksoi se prioriteti i saj mbetet garantimi i paqes dhe sigurisë në të gjithë vendin.
Pas përhapjes së lajmit për vdekjen e “El Mencho”, anëtarë të kartelit nisën sulme në disa qytete ku CJNG është aktive. Në disa zona, ata bllokuan rrugët duke hedhur gozhda në asfalt, sekuestruan autobusë dhe automjete të ndryshme, të cilave më pas u vunë flakën.
Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacion që çonte në kapjen e “El Mencho”.
Ministria e Mbrojtjes theksoi se operacioni u krye nga forcat meksikane, me mbështetje në inteligjencë nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
Top Channel