Top Story/ Imuniteti i Ballukut, deputeti i PD flet për mbledhjen e Këshillit të Mandateve: Duhej bërë me dyer të hapura, kur të paraqiteshin provat…

23/02/2026 21:20

Kjo e hënë shënoi një tjetër moment përplasje mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri. Për 5 orë në Këshillin për Mandatet u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv. kryeministres Belinda Balluku.

Ashtu siç dhe pritej seancës plenare do ti shkojnë dy qëndrime. Për socialistët është i mjaftueshëm pezullimi ndërsa për demokratët maxhoranca po pengon drejtësinë.

SPAK u përfaqësua në këtë mbledhje nga tre prokurorë, drejtuesi i institucionit Klodian Braho si dhe dy prokurorët që po hetojnë zv.kryeministren, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura SPAK ka konfirmuar se gjendja procedurale e Ballukut është rënduar, ndërsa ka rrezik të prishë prova e të kryejë krime të tjera. Por gjithashtu për SPAK janë intimiduar dy dëshmitarë në nëntor të vitit të kaluar duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.

I ftuar në “Top Story”, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi foli për mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve, duke thënë që duhej të hapej për publikun dhe në momentin që prokurori të nxirrte provat, atëherë dyert të mbylleshin.

“Së pari dua të them diçka, ne kemi këmbëngulur edhe në mbledhjen tjetër të 19 dhjetor, që ajo mbledhje duhet të ishte e hapur. Është e regjistruar në procesverbalet e mbledhjes., edhe sot kërkuam të njëjtën gjë. Procedura e mbledhjes së këshillit duhet të fitojë e hapur. Nëse ka nevojë, siç është kërkesa e prokurorit të posaçëm që të jetë e mbyllur, këshilli duhet të marrë vendim. aty ishin të vendosur që mbledhja të ishte me dyer të mbyllura. Ne gjykojmë si opozitë që këto mbledhje duhet të jenë publike. Kur kemi bërë kërkesën e heqjes së imunitetit në vitin 2012, atë kohë mendohej të hiqej krejt. Me një kërkesë të Edi Ramës, ra dakord me këtë që kemi sot.

Ai debat aty duhet të ishte i hapur. Kur kishte prova dhe prokurori ta kërkonte, të mos bëheshe me dije për publikun, por të mbylleshin dyert.

Kryetari i Kuvendit në të dyja rastet nguli këmbë që këshilli nuk merr vendime. Sipas tij, këshilli nuk merr asnjë vendim dhe nuk e hodhi kurrë në votim.

Në raste të tjera, edhe të Berishës, këshilli ka marrë vendimi. Kjo për të kuptuar njerëzit që ka edhe një hall më të madh. Votimi mund të ishte 5 me 5 dhe rrëzohej kërkesa e prokurorisë.

Në fund fare këto gjëra dalin. Kreu i Grupit Parlamentar doli dhe mbajti qëndrimin që ne kishim.

Këtu është një element tjetër që është aspekt procedural. Ne, prokuroi i posaçëm, na ka kërkuar me shkrim që të dhënat dhe provat të ruanin sekretin hetimor. Të gjithë deputetët kanë firmosur për këtë gjë”, u shpreh Bylykbashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB