Importet na kushtojnë 40%, ekspertët: Marzhet e abuzimit po dëmtojnë prodhimin vendas

22/02/2026 19:48

Vetëm 1 në 3 produkte në raftet shqiptare është i prodhuar në Shqipëri.

Rënia e ndjeshme e eksporteve dhe rritja e shpejtë e importeve vitet e fundit jo vetëm ka dëmtuar prodhimin vendas por ka rënduar edhe xhepat e qytetarëve, të cilët si konsumator fundor duhet t’i paguajnë nga 40%-200% më shtrenjtë.

Edhe pse të favorizuara nga rënia e euros, importet në asnjë vit nuk rezultuan më të lira në vendin tonë ndonëse logjika ekonomike thotë se nëse ato blihen më lirë, do duhet të shiteshin më lirë.

Konkretisht një produkt që shitet në Itali me 1 euro arrin në Shqipëri arrin në Shqipëri deri në 2.8-3 euro. Kostoja reale e justifikueshme për tregun shqiptar është 1.5 euro ndërsa diferenca e mbetur sipas ekspertëve fiskal përfaqëson një rentë oligopolistike, marzhe abuzimi dhe mungesë konkurrence.

“Disa ekspert 3-4 vite me parë që thoshin nga rënia e euros do përfitojë konsumatori se do ulen çmimet. Përkundrazi rritjen e kostos që ka pësuar prodhimi vendas ato po e përdorin për rritjen e çmimeve të tyre”, deklaroi ish-Ministri i Financave, Alban Zusi.

Sa do të ishte kostoja dhe çmimi final nëse këto produkte do të prodhoheshin në Shqipëri?

I njëjti produkt i prodhuar në Itali, në Shqipëri do të kishte si kosto vetëm prodhimin, transportin, marzhin e  prodhuesit, shitësit dhe TVSH të cilët në total do të arrinin një çmim prej 1.17 euro.

“Një pjesë është nga barra fiskale që kanë produktet veçanërisht ushqimore krahasuar me Europën. Nëse në Europë djathi nga prodhuesi shkon te konsumatori me TVSH 5-6% e shumta 10% në Shqipëri barra fiskale 20%. Menjëherë produktet sikur të shiten me te njëjtin çmim si në vendin e origjinës dhe mos të kemi marzh të ndërmjetësit përsëri 10% më shtrenjtë për efekt të TVSH.

Kësaj vlere i shtohet dhe 10-15% shpenzimet e transportit, kur kanë rënë eksportet kostot e transportit janë rritur shumë. Dikur kur kishte shumë trailerat shkonin e vinin plot tani ato shkojnë bosh, dhe koston e rrugës boshe ja ngarkojnë importit dhe rriten çmimet. Nëse nuk do kishim importuesin do kishim dy hallka të hequra nuk do kishim transportin dhe as grosistin”, deklaroi ish-ministri.

Por kur dhe si mund të ndodh një rënie çmimesh në Shqipëri?

Ulja reale e çmimeve do të  realizohej sipas ekspertëve vetëm nëse do të ndodhte një hapje reale e tregut të importit, zhvillimi real i konkurrencës në tregjet e brendshme, aplikimi i TVSH së diferencuar për ushqimet bazë dhe transparencë publike e çmimeve përmes platformave të krahasimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB