Goditi për vdekje 48-vjeçarin në Kavajë për një vend parkimi, arrestohet pas disa orësh autori i dyshuar i krimit

22/02/2026 08:56

Disa orë pas vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në lagjen nr. 3 të Kavajës, policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar.

I arrestuari ështē Landi Derjaj, alias Landi Puja, 48 vjeç nga Kavaja, i cili dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta goditi disa herë me thikë 48-vjeçarin Skender Vrapi, alias Skerdilajt Isufi, duke i shkaktuar plagë fatale.

Konflikti nisi pasi viktima parkoi automjetin e tij tip Benz para shtëpisë së autorit dhe nuk pranoi ta largonte nga aty, sipas dëshmisë së të arrestuarit.

Pas ngjarjes, i dyshuari u largua menjëherë, ndërsa shërbimet e Policisë së Kavajës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe forcat Operacionale të DVP Durrës, nisën kërkime intensive në zonë.

Pas disa orësh kontrollesh dhe verifikimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi.

Në cilësinë e provës materiale, atij iu sekuestrua edhe thika që dyshohet se u përdor në krim, ndërsa hetimet vijojnë nga prokuroria për dokumentimin e plotë të çështjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB