Ekskluzive/ Telefonata nga Siria, zbuloi dy shkodranët ish-luftëtarë të ISIS, donin në votonin në zgjedhjet lokale

22/02/2026 19:39

Marc Ghorayeb konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban në një intervistë për Top Channel, tregoi se në burgjet e Sirisë aktualisht janë 8 shtetas shqiptarë ish luftëtarë të ISIS.

Sipas tij  dy të tjerë janë ndarë nga jeta tek sa mbaheshin në burgun Shaddadi.

Burime nga inteligjenca shqiptare i treguan gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se si arritën tejet rastësisht të zbulojnë se në Siri vijojnë të jenë edhe dy shqiptarë të tjerë,  të cilët nuk janë kapur asnjëherë prej autoriteteve kurde.

Ata janë nga qyteti i Shkodrës të larguar për t’ju bashkuar ish Shtetit Islamik në 2013-tën.

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 2023 ata kanë telefonuar njërin prej dy kandidatëve duke i shprehur dëshirën e rikthimit në atdhe e votuar për të.

Kandidati i ka treguar se ata mund të kthehen por do ti duhet të përballen me drejtësinë,  pasi vendi ynë ka të miratuar një  ligj,  për dënimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë vendit.

Kjo ka frenuar dëshirën e tyre për tu rikthyer në atdhe, megjithatë ka zbuluar ekzistencën e tyre të panjohur në Siri deri atë moment.

Të njëjtat burime tregojnë se autoritet lokale të inteligjencës, janë vënë në dijeni të kësaj bisede ardhur nga Siria në telefonin e kandidatit për kryetar bashkie.

Ky informacion i ka shkuar departamentit të analizës në Tiranë dhe është avancuar më tej duke hapur dy dosje ndjekje për dy shkodranët në Siri.

Është zbuluar tashmë identiteti i tyre dhe njerëzit që i ndihmuan për tu futur ilegalisht nga Turqia në Siri.

Të paktën 150 shtetas shqiptarë, burra gra dhe fëmijë iu bashkuan ish Shtetit Islamik.

Shumica e burrave kanë mbetur të vrarë gjatë luftimeve ndërsa gratë e tyre sipas rregullave të ish Shtetit Islamik u martuan përsëri me luftëtar të kombësive të tjera me të cilët edhe kanë lindur fëmijë.

Ata luftuan për Shtetin Islamik nën komandën e Lavdrim Muhaxherit me origjinë nga Kaçaniku,  një ish i punësuar nga NATO në Kosovë përpara vajtjes në Siri. Vetë Muhaxheri do të martohej në Siri me një grua nga Tirana pasi iu vra bashkëshorti me të cilën ka edh dy fëmijë tashmë të riatdhesuar në Shqipëri.

Muhaxheri do të vritej më 8 Qershor 2017 nga një sulm ajror i forcave amerikane.

Marc Ghorayeb konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban po ashtu tregoi për Top Channel se 8 shqiptarët që aktualisht janë në burgun Shaddadi për arsye sigurie planifikohet prej qeverisë së re siriane të transferohen në Irak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB